Rama nga Athina: Duam respekt reciprok, minoritetit grek s’u janë mohuar kurrë të drejta

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar të gjitha sakrificat që emigrantët shqiptarë u deshën të haseshin kur shkuan në Greqi, ku u përballen padrejtësisht me paragjykimet dhe mohimin e të drejtave të tyre. Rama tha se kërkon nga Greqia respekt reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Rama foli gjithashtu edhe për problemet që shqiptarët hasin në Greqi, ku tha se komunitetit grek në Shqipëri nuk i është mohuar kurrë asnjë e drejtë nga autoritete shqiptare.

“Në një vend si i yni që përparon përditë por ku plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës janë ende jo plotësisht të mbyllura. Ama kurrë një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hallë apo problem për shkak të kombësisë së tij. Kurrë asnjëherë në asnjë rast grekët etnik nuk u është mohuar arbitrarisht nga autoritet shqiptare e drejta e besimit, gjuhës dhe pronës. Kurrë në asnjë rast atyre nuk u është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike. Dhe nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, e kush nga ju që ka një shpia apo tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësi për 1001 arsye mund të thotë të kundërtën. Ky është një problem i Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët e Shqipërisë.

Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, përveç respektit reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve reciproke të fqinjësisë së mirë. Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur mes nesh, ne i shohim si arsye për t’u afruar më shumë dhe për t’u njohur më mirë dhe të mos bëjmë bisht komunikimit dhe të gjejmë zgjidhjet e arsyeshme për të dy palët”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se pengesat mes dy popujve kanë qenë gjithmonë politikë, ku nacionalizmit kanë ushqyer urrejtje për atdheun e të tjerëve.

“Greqia ka nevojë për ju njësoj siç ju keni nevojë për Greqinë. Kush i kundërvihet kësaj të vërtete i bie me kokë pasqyrës ku sheh vetëm veten. Midis vendeve tona kanë qenë gjithmonë kufij politik që i kanë vënë për qëllimet e tyre aspak të larta, herë për të ushqyer dëlirin e madhështisë provinciale dhe herë për të treguar dashurinë për atdheun e tyre duke ushqyer urrejtjen për atdheun e të tjerëve duke krijuar probleme të jashtme pa llogaritur dëmet dhe shanset e humbura nga ndarja e dy popujve të rritur pranë si dy fëmijë në të njëjtin oborr”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme