Rama nga Lushnja: Mos votoni ata që janë të padëshirueshëm nga SHBA!

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar të mërkurën në një takim për mbylljen e fushatës në Lushnjë, duke kërkuar mbështetje për Eriselda Sefën për një mandat tjetër në krye të kësaj bashkie. Rama shprehu bindjen se në 14 maj “qytetarët do të votojnë ata që punojnë dhe jo ata që kërkojnë të marrin peng bashkitë për interesa personalë”.
“Këtu në Lushnjë si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se çfarë ka folur deri më sot. Ajo që ju prisni është jo tu themi sesa kemi bërë por të bëjmë akoma më shumë në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe gjithë popullin e Lushnjës. Dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve. Në 14 maj vërtet do votohet për të zgjedhur njeriun që do jetë në krye të punëve, për tu shërbyer qytetarëve. Do votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që e mbajmë në zemër” tha kryeministri Rama.
Sipas tij kundërshtarët e socialistëve në këto zgjedhje janë të padëshirueshëm nga SHBA. “Në 14 maj, është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe maskën e faqes së zezë të damkosur nga SHBA. Ajo që u ofrohet si alternativë është një turp i madh për Shqipërinë që sot gëzon mbështetjen më të madhe se kurrë më parë që ka pasur nga aleatët strategjikë. Jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”tha kryeministri Rama para zgjedhësve në Lushnje.
Duke u shpreh i bindur se në 14 maj, fitorja do jetë e PS-së, zoti Rama paralajmëroi se kundërshtarët kanë nisur akuzat për vjedhje votash deri tek shitblerja e tyre. Ai tha se nëse opozita synon që në të ardhmen të fitojë zgjedhjet, duhet të heqë dorë nga alibitë e krijuara gjithmonë dhe të ofrojë atë që PS ofron për qytetarët. “Nëse duan që një ditë të sfidojnë PS-në duke menduar gjithmonë fajin atyre që nuk e kanë, duke menduar se ne ua fitojmë zgjedhjet pa të drejtë, do vijojnë të humbasin keq dhe më keq. Iu siguroj që në 4 vitet e ardhshme do bëjmë më shumë punë se çfarë kemi bërë në gjithë këto vite të marra së bashku” tha kreu i PS dhe kryeministri Edi Rama.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




