Rama: S’ka asnjë provë që kam përdorur pushtetin për të përfituar para apo prona. Çdo dhuratë ndaj meje është e regjistruar si pronë e shtetit

Kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht akuzat për përfitime të paligjshme përmes pushtetit, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që ai të ketë përdorur postet që ka mbajtur për të marrë para apo prona.
Duke folur për akuzat që janë hedhur ndaj tij nga opozita por edhe protestuesit, Rama tha se askush nuk mund të provojë se ka përfituar qoftë edhe një shumë të vogël parash në këmbim të një firme të vendosur prej tij gjatë kohës që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës apo qeverinë.
“Nuk ka një provë të vetëm që një qindarkë e tillë të jetë në xhepin tim apo të ardhurat e familjes sonë, dhe një firmë të vetme të hedhur si unë si kryebashkiak apo kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë, pasi nuk ka ndodhur ai lloj fenomeni. Unë kam gabimet e mia, nuk jam engjëll apo i pagabueshëm, por kurrë nuk e kam bërë tregtinë për para apo prona me pushtetin, por e përdorar pushtetin për të rilinduar Tiranën dhe më pas Shqipërinë. Kush ka përfituar mundësi të drejta investimi edhe falë firmës time e di mirë se çfarë flas, kur them se pushteti im nuk është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme”, tha Rama.
Rama iu referua gjithashtu akuzave për një orë dhuratë që pretendohet se lidhet me krimin e organizuar, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Rama tha se dhuratat që ka marrë gjatë detyrës si kryeministër janë të regjistruara dhe, sipas tij, trajtohen si prona të shtetit shqiptar.
“Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo sqep sorrash që paskan thënë se paskam marrë një orë dhuratë nga krimi i organizuar, kryeministri ka një muze pikërisht nga dhuratat që merr kryeministri, që më janë dhënë nga partnerë e miq të vendit tonë. Unë i kam të gjitha dhuratat e regjistruara për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar, ndryshe nga paraardhësi im që i ka përlarë në shtëpinë e tij”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




