Rama thirrje bizneseve të huaja: Investoni në Shqipëri, vendi ka ndryshuar shumë

Ekonomi | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama u bëri një ftesë të drejtpërdrejtë të hënën investitorëve të huaj, që të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri. Thirrjen ai e bëri gjatë një pjesëmarrje online në Samitin e Investimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që mblodhi në Londër krerë të qeverive nga Ballkani Perëndimor.

Kryeministri Rama tha se vendi ka ndryshuar shumë, nga një vend i stigmatizuar si një vend jo i sigurt, në një vend që vitin e kaluar arriti 10 milionë turistë, thuajse trefishi i popullsisë.

“Sot kemi diversifikuar burimet energjetike dhe po prodhojmë gjithmonë e më tepër energji nga era. Çmimi i energjisë elektrike nuk ndryshoi edhe në kohën e krizës dhe mbetet ndër më të ulëtit në rajon. Borxhi jonë publik ka shkuar në një nivel historik, në nivelin 59,2 % në fund të 2023 nga 60 % që parashikohej. Pra pyetja pse investitorët seriozë duhet të hedhin paratë e tyre në Shqipëri? Përgjigjja e thjeshtë është se nëse nuk e bëjnë ata, do e bëjë dikush tjetër”, u shpreh Rama.

Me rëndësi, sipas kryeministrit Rama, është edhe thithja e sa më shumë investimeve në rajon dhe që, sipas tij, po koordinohej nëpërmjet nismës “Ballkani i Hapur”, por që u sulmua për arsye politike.

“Ne krijuam Ballkanin e Hapur, pikërisht sepse pamë që Procesi i Berlinit kishte disa gjëra që nuk i bënte. Bëmë një progres të mirë, por fatkeqësisht iniciativa u sulmua dhe u la tërësisht për arsye të këqija, sepse në fund të fundit ishte si një projekt implementimi. Politika është politikë, dhe kur politika përdoret për të bërë vota kundër këtyre projekteve strategjike atëherë projektet strategjike duhet të presin. Mbetëm të burgosur brenda disa mureve që janë vendosur që në të kaluarën”, tha Rama.

Në samitin e gjashtë të BERZH-it për Ballkanin Perëndimor ishin të pranishëm përfaqësues të qeverive të 6 vendeve ndërsa mbështetje dhanë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme