Republikanët bllokojnë shkarkimin e Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes përballet me 8 akuza

Amerikë | 1 minutë më parë

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka bllokuar përpjekjen për shkarkimin përmes procedurës së fajësimit (impeachment) të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, pasi republikanët mbështetën dërgimin e rezolutës në komision, duke shmangur kështu një votim përfundimtar mbi akuzat ndaj tij.

Rezoluta ishte paraqitur nga kongresmeni republikan Thomas Massie, i cili kishte ngritur tetë akuza ndaj Hegseth, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve federale, përfshirë drejtimin e luftës kundër Iranit pa autorizimin e Kongresit dhe abuzimin me kompetencat e tij si drejtues i Pentagonit.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve përfundoi me 211 vota pro dhe 204 kundër dërgimit të rezolutës në Komisionin Gjyqësor. Massie ishte i vetmi republikan që votoi kundër kësaj procedure, ndërsa të gjithë republikanët e tjerë mbështetën mocionin.

Të gjithë demokratët votuan gjithashtu kundër mocionit procedural, duke kërkuar që rezoluta të kalonte në shqyrtim parlamentar dhe të mos mbyllej çështja në këtë fazë.

Tetë nenet e fajësimit të paraqitura nga Massie përfshijnë disa prej vendimeve më të debatueshme ushtarake të administratës Trump. Hegseth akuzohet se ka urdhëruar nisjen e luftës kundër Iranit pa marrë më parë miratimin e Kongresit dhe se ka shpërfillur një rezolutë të miratuar në qershor nga të dyja dhomat, e cila kërkonte përfundimin e konfliktit.

Një tjetër akuzë lidhet me sulmin amerikan ndaj një shkolle në Minab të Iranit, ku humbën jetën më shumë se 168 persona. Sipas rezolutës, sekretari i Mbrojtjes ka shpërfillur ligjet që synojnë mbrojtjen e civilëve gjatë operacioneve ushtarake.

Massie e akuzon gjithashtu për vrasjen pa proces gjyqësor të të paktën 221 personave në anije të dyshuara për transport droge në Detin e Karaibeve dhe në Paqësorin lindor, si dhe për hakmarrje ndaj senatorit demokrat Mark Kelly, pasi ky i fundit kishte kritikuar drejtuesin e Pentagonit.

Dy akuzat e tjera lidhen me përfshirjen e Hegseth në operacionin ushtarak amerikan për kapjen e presidentit të atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe në fushatën e bombardimeve në Jemen, të nisur pak pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Pas votimit, Trump e cilësoi rezultatin si një “shfajësim” të Hegseth, të cilin e quajti një patriot amerikan, ndërsa sulmoi Massie-n për nismën e tij. Edhe Pentagoni e shpalli rezultatin si një “fitore totale” për sekretarin e Mbrojtjes dhe ushtrinë amerikane.

Vetë Hegseth i kishte hedhur poshtë akuzat gjatë një konference për shtyp në Pentagon, duke e cilësuar përpjekjen për shkarkimin e tij si një “spektakël politik”.

“Është një farsë, është një marifet dhe këtë e dinë të gjithë”, deklaroi ai.

Megjithatë, votimi nuk pritet të jetë fjala e fundit për të ardhmen politike të Hegseth. Demokratët fituan shumicën në zgjedhjet e mesmandatit të nëntorit dhe pritet të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar.

Kreu i demokratëve në këtë dhomë, Hakeem Jeffries, ka mbështetur hapur nismën për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes. Në një intervistë për PBS, ai deklaroi se është plotësisht pro rezolutës, duke akuzuar Hegseth për abuzim me pushtetin dhe cenim të sigurisë kombëtare amerikane.

Jeffries e cilësoi atë si arkitektin e luftës në Iran, të cilën e përshkroi si një konflikt të kushtueshëm dhe të panevojshëm, që sipas tij e ka bërë SHBA-në më pak të sigurt dhe ka rritur koston e jetesës për qytetarët.

Nëse një rezolutë e tillë do të miratohej në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo do të duhej të merrte edhe mbështetjen e dy të tretave të Senatit për të çuar në shkarkimin e Hegseth. Kjo procedurë nuk u arrit të vihej në lëvizje pas votimit të fundit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme