Reshje rekord bore në Japoni – Autoritetet ndihmojnë qytetarët dhe paralajmërojnë për rreziqet në zona të prekura

Azi | 8 muaj më parë

Reshjet rekord të borës në Japoni kanë shkaktuar të paktën 30 viktima në dy javët e fundit. Mes tyre është edhe një grua 91-vjeçare, e gjetur e varrosur nën tre metra borë pranë banesës së saj. Situata e rëndë ka detyruar qeverinë japoneze të ndërhyjë me masa emergjente.

Sipas televizionit kombëtar NHK, janë angazhuar edhe trupat ushtarake për të ndihmuar zonat më të prekura. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar. Rreziku nga orteqet dhe nga bora që bie nga çatitë mbetet i lartë.

Paralajmërime janë dhënë edhe për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike. Në qytetin verior Aomori, trashësia e borës ka arritur në 175 centimetra. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i mesatares për këtë periudhë të vitit.

Guvernatori i Aomorit ka kërkuar ndihmë nga ushtria, veçanërisht për të moshuarit që jetojnë vetëm. Në disa zona të tjera është thyer edhe rekordi 40-vjeçar i reshjeve të bores, me trashësine e dëborës që I ka kaluar 135 cm. Sipas autoriteteve, reshjet ekstreme lidhen me një masë ajri shumë të ftohtë nga Arktiku që ka mbërthyer Japoninë prej disa ditësh.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme