Rozafa, destinacioni më i vizituar i fundjavës. Vizitorët të magjepsur nga historia, pamjet panoramike dhe atmosfera unike
Këtë fundjavë, Kalaja e Rozafës u tejmbush me vizitorë vendas dhe të huaj, duke njohur një nga flukset më të mëdha turistike të muajve të fundit. Krahas turistëve nga vende të ndryshme, në kalanë historike u panë edhe grupe nxënësish nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët kishin zgjedhur Shkodrën për ekskursione dhe vizita kulturore.
Vizitorët u shprehën të impresionuar nga historia, pamja panoramike dhe atmosfera që ofron kalaja simbol e qytetit të Shkodrës. Ata vlerësuan bukuritë natyrore, mikpritjen dhe rëndësinë historike të këtij monumenti, duke e cilësuar vizitën si një përjetim të veçantë.
“Po, hera e parë. Ne i duam malet, prandaj erdhëm këtu. Dhe po, njerëzit janë shumë miqësorë. Po ngjitemi për në kala të shohim qytetin nga lart”.
“Unë vij nga Spanja. Po, është hera e parë. Erdhëm bashkë edhe për të vizituar qytetin, që është vërtet shumë i bukur, dhe gjithashtu për të nisur ecjet tona nëpër male. Nesër do të shkojmë atje, kështu që na uroni fat”, thanë disa turistë të huaj.
“Kemi ardhur grup prej 25 vetash dhe është shumë e bukur”
“Më pëlqen shumë dhe kalaja na ka bërë shumë përshtypje”, thanë vizitorët vendas
Fluksi i lartë i turistëve këtë fundjavë konfirmon edhe njëherë interesin në rritje për turizmin kulturor dhe historik në Shkodër, veçanërisht gjatë sezonit pranveror.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





