Rritet prodhimi i rrushit në Fier. Sezoni i hershëm sjell 1.500 tonë më shumë, cilësia lidhet me klimën e thatë
Në Fier dhe Mallakastër ka nisur më herët sezoni i vjeljes së rrushit, i ndihmuar nga kushtet e motit.
Në fshatra si Kurjan i Roskovecit dhe Ninësh i Mallakastrës, prodhimi është rritur me 10%, duke përmirësuar të ardhurat e vreshtarëve.
“Vijnë e marrin ata që kanë kantina vere, sepse është një rrush cilësor nga natyra, vendi. Jam i kënaqur për këto që kam, edhe me prodhimin, edhe me cilësinë. Nga viti në vit e rrisim, i bëjmë më tepër […] vreshtit,” shprehet fermeri Luli Saliaj.
Të dhënat nga Drejtoria e Bujqësisë në Fier tregojnë se prodhimi është rritur me 1.500 tonë krahasuar me një vit më parë, duke kaluar nga 30.136 tonë në vitin 2024 në 31.543 tonë këtë sezon.
“Sivjet është preferuar rrushi i Ninëshit. Ndihmojmë njëri-tjetrin. Do i ndihmoj unë nesër-pasnesër kur të vjelin ata rrushin e tyre,” thotë fermeri nga Mallakastra.
Sipas specialistëve, rendimenti më i lartë lidhet me mungesën e reshjeve, pasi vreshtat në kushte të thata japin prodhimin maksimal.
Përveç zonave tradicionale të Fierit dhe Mallakastrës, kultivimi po zgjerohet edhe në Libofshë dhe disa fshatra të Lushnjës, ndërsa ka nisur edhe mbjellja e rrushit në serra.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





