Rritet punësimi i të diplomuarve në Korçë, Universiteti “Fan S. Noli” shënon ecuri pozitive në tregun e punës

Arsim | 2 muaj më parë

Të dhënat e fundit për të diplomuarit në Universitetin Fan S. Noli në Korçë tregojnë një rritje të përfshirjes së tyre në tregun e punës, veçanërisht pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve. Ecuria pozitive vihet re edhe në nivelin e përgjithshëm të universitetit, duke treguar një përmirësim të mundësive të integrimit profesional të të diplomuarve.

“Në vitin akademik 2023–2024 kemi pasur 56% të punësuar, ndërsa për vitin akademik 2024–2025 kjo përqindje ka arritur në 58%. Sigurisht, kjo ndryshon në varësi të fakulteteve dhe programeve të studimit. Megjithatë, të gjitha të dhënat në tërësi na japin një tendencë pozitive të integrimit të tyre në tregun e punës”, tha Xhuliana Sadikaj Specialiste Alumni.

Rritjen më të ndjeshme e kanë shënuar Fakulteti i Bujqësisë, ku rreth 78% e të diplomuarve janë të punësuar, dhe Fakulteti i Ekonomisë, me rreth 68%. Sipas të dhënave, disa programe studimi kanë regjistruar gjithashtu nivele të larta punësimi.

“Nëse do të flasim në nivel programesh, do të mund të përmendim edhe programe me 100% punësim, siç është Etika dhe Lidershipi nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane; Kulturë, Media dhe Editim, me 83.3% të punësuar, që i përket Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë. Gjithashtu, programi Financë-Kontabilitet, me 77.6% të punësuar. Gjithashtu, nga Fakulteti i Bujqësisë kemi po ashtu programe me 100% punësim, siç është Inxhinieria Agrare dhe Menaxhimi i Qëndrueshëm në Agroturizëm”, tha ajo.

Të dhënat e punësimit shihen si një tregues i rëndësishëm për përshtatjen e programeve universitare me nevojat e tregut. Universiteti Fan S. Noli vijon të synojë përgatitjen e profesionistëve të kualifikuar dhe forcimin e lidhjes mes arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Gazetare: E. Fili 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme