Sako sulmon Carën: Më 14 maj kthehesh te mama, unë do vijoj punën në bashki

Kandidatja për Kryebashkiake e Partisë Socialiste për Bashkinë e Durrësit, Emirjana Sako, ka sulmuar kundërshtarët e saj politikë.
Duke u ndalur te kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Sako u shpreh se Igli Cara ka gabuar rëndë duke u dhënë dy individëve më problematikë në Shqipëri, fytyrën dhe emrin e tij.
Sako u shpreh se Cara nuk duhet të merret seriozisht, pasi sipas saj, kandidati i “Bashkë Fitojmë” dikur shiste vende pune kur PD-ja ishte në pushtet.
“Unë nuk jam politikane dhe nuk e kam kuptuar asnjëherë politikën si përballje personash. Për mua politika është ballafaqim vizionesh, programesh, rezultatesh.
Por, duke qenë se Igli Cara merret më shumë me mua, sesa me mamën e tij siç e thotë edhe vetë, dua t’ju them dy fjalë!
Igli Carën unë nuk e njoh, emrin e tij e kam dëgjuar dikur si njeri që shiste vende pune kur PD-ja ishte në pushtet. Por për këtë nuk kam asnjë provë. Ndërsa prova se Igli Cara është vetë një politikan i vjetër, i cili i shitet padronit të radhës, nuk meriton të merret seriozisht, është para syve të gjithë durrsakëve. Deri dje ai ishte marioneta e Lul Bashës, sot ai është marioneta e Sali Nongratës dhe Ilir Floririt, të cilët s’kanë asnjë lidhje me të ardhmen e Durrësit. Ata e kanë hedhur Igli Carën në fushë për t’u hedhur hi syve të durrsakëve dhe për ta marrë Durrësin peng. Për të marrë peng Portin e ri Turistik, Portin e ri tregtar në Porto Romano, hekurudhën e re Durrës-Tiranë dhe vetë të ardhmen e Durrësit që sot me mbështetjen e Kryeministrit dhe deputetit tonë Edi Rama, ka hyrë në një kapitull historik transformimi ekonomik, urban dhe social.
Igli Cara ka gabuar rëndë që u ka dhënë dy individëve më problematikë në Shqipëri, fytyrën dhe emrin e tij, por Durrësi nuk ka më asnjë shans për t’i dhënë padronëve të Igli Carës”, shkruan Sako në rrjetin social Facebook.
Sako ironizon Carën, duke i thënë se më 14 maj, ai do të kthehet te mamaja në pritje për padronin e radhës, ndërsa ajo do të vijojë punën në Bashkinë e Durrësit.
“Prandaj i dashur Igli, në 14 maj ti do të kthehesh tek mama në pritje për padronin e radhës, ndërsa unë do vazhdoj punën me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.
Bashkia e Durrësit është e durrsakëve që duan të shkojnë vetë përpara dhe kurrë s’do të jetë më e ‘non grata-ve’ dhe e kukullave si puna jote, që me Durrësin i lidhin vetëm hallet dhe interesat personale!”, shkruan ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




