Sali Berisha komenton operacionin e SPAK: Bosët e krimit nuk u arrestuan

Politikë | 2 vite më parë

Nga banesa ku po vuan dënimin e arrestit në shtëpi, ish-kryeministri Sali Berisha dha një deklaratë për mediet, duke akuzuar SPAK-un për skemë mashtrimi me operacionin ku u lëshuan 50 urdhërarreste.

Sipas Berishës, bosët e vërtetë të krimit të lidhur me pushtetin shpëtuan edhe në këtë rast, ashtu sikurse ndodhi edhe në çështjen e incineratorëve.

“Organizimi i operacioneve false kallpse është një lojë jashtëzakonisht e rrezikshme. Nga 50 mandate, janë ekzekutuar apo arrestuar gjithsej 5 qytetarë në Shqipëri, roja, magazinierë, furnitorë etj. Cili nga bosët u arrestua? Operacioni vetëm sa paralajmëroi bosët ‘ikni, se figuroni në regjistrat e telefonave Sky ECC dhe Encrochat’,” tha Berisha.

Ai u shpreh shpresëplotë se kjo situatë do të ndryshojë dhe kushdo që ka shkelur ligjin do të përballet me drejtësinë.

“Garantoj bosët e krimit se kudo që të ndodhen të rikujtojnë pak vitet e mëparshme. Edhe në papafingot më të fshehta ata do të gjenden dhe do të kthehen në Shqipëri për të dhënë përgjigje para ligjit për vrasjet dhe trafiqet e tyre,” deklaroi kreu i Rithemelimit të PD-së.

Për Berishën edhe me këtë aksion, SPAK dëshmoi se është një institucion në shërbim të qeverisë.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme