Salianji: Kryetari i Komisionit të Posaçëm, subjekt i ligjit antimafia. Të hetohet nga SPAK

Politikë | 2 vite më parë

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, thotë se kryesimi i Komisionit të Posaçëm për reformat nga një subjekt i ligjit antimafia është një arsye plus që opozita të refuzojë pjesëmarrjen.

Ai i referohet kështu deputetit Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit vuajti një dënim të pakryer me burg në Itali për trafik droge, pas një denoncimi të zotit Salianji. Por konflikti mes dy politikanëve nuk mbaron me kaq, pasi Ervin Salianji u padit dhe u dënua në shkallën e parë për kallëzim të rremë për akuzën e përfshirjes në një histori tjetër me trafik droge të vëllait të ish Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Propozimi i Fatmir Xhafajt është një element shtesë që PD të mos bëhet pjesë e një komisioni që drejtohet nga dikush që duhet të jetë nën hetim pasuror, pasi ligji antimfia parashikon që ky person është subjekt i këtij ligji për shkak të të vëllait. Deri më sot nuk ka hetim nga SPAK-u, por ne do të bëjmë të gjithë procedurën e duhur që të ketë hetim, ashtu siç ka hetim për çdo person tjetër të kësaj republike.”- paralajmëroi nënkryetari i grupit të PD, pa i detajuar këto veprime që mund të ndërmarrë opozita kundër zotit Xhafaj.

Megjithatë, Ervin Salianji ishte i qartë se ish-kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka këtë pozicion të privilegjuar mbi ligjin për shkak të kontrollit ndaj organeve të drejtësisë.

“Keqpërdorimi i pozicioneve të caktuara për të patur influencë politike në drejtësi është defekti që ka sot sistemi. Fatmir Xhafaj është një nga ata që ushtron një pjesë të këtij kontrolli, pa asnjë diskutim. Nëse nuk do të ishte kështu, do të kishte hetim të plotë për të”- tha zoti Salianji në RTSH.

Ai përmendi një kallëzim të PD për lidhjen dhe abuzimin me detyrën nga ana zotit Xhafaj për favorizimin e një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit për një ndërtim të njohur në Tiranë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme