Sarandë, 90% e tokave me misër dhe foragjere, rriten pritshmëritë për prodhimin bujqësor
Në Bashkinë e Sarandës mbi 90% e sipërfaqes bujqësore tashmë është e kultivuar me dy kulturat kryesore, atë të misrit dhe foragjereve. Sipas drejtorit të bujqësisë në këtë bashki, Mustafa Lama, ky sezon paraqitet mjaft premtues, pasi kushtet klimatike dhe puna e fermerëve kanë qenë në favor të një prodhimi të mirë. Ai thekson se, nëse kjo ecuri vijon, pritet që rendimentet të jenë të kënaqshme dhe viti bujqësor të mbyllet me sukses.
“Në territorin e bashkisë Sarandë nga 2375 hektar tokë bujqësore tensive janë mbjellë mbi 2000 hektar, pra mbi 90% të sipërfaqes. Kryesisht është kultura e misrit dhe në 30% të saj një pjesë është foragerej. Kultura e misrit sot që flasim është 10 cm mbi tokë që përkon më së miri me kohën e mbjelljes”, u shpreh Mustafa Lama, Drejtor i Bujqësisë.
Ndërkohë, fermerët në terren janë të angazhuar intensivisht me punët e sezonit. Ata ndodhen aktualisht në fazën e spërkatjeve për mbrojtjen e kulturave, ndërsa shumë shpejt pritet të vijojnë edhe me hedhjen e plehut kimik, veçanërisht për kulturën e misrit. Sipas tyre, deri më tani gjithçka po ecën sipas planifikimit dhe shpresat për një prodhim të mbarë janë të larta.
“Ne tani ndodhemi në fazën e spërkatjes. Kemi bërë një pjesë, pjesën më të madhe të spërkatjes kundër barnave të këqija. Pastaj në fazën e dytë vazhdojmë me kultivimin e misrit që hedhim plehun kimik uren. E kemi bërë dhe një pjesë të saj. edhe pak jemi në përfundim të të dyjave”, tha fermeri, Brahim Balani.
Ecuria pozitive e deritanishme dhe angazhimi i fermerëve japin sinjale të mira për bujqësinë në këtë zonë. Nëse kushtet atmosferike mbeten të favorshme, Saranda pritet të ketë një sezon të suksesshëm, duke garantuar prodhim cilësor.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





