“Sebep për zvarritje!” Shtyhet seanca për pjesëmarrjen e Berishës në Parlament

Politikë | 3 vite më parë

Mungesa e prokurorëve bëri të martën që të shtyhet sërish seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Gjyqtarja Irena Gjoka, e cila e rrëzoi apelimin e z. Berisha edhe në shkallë të parë, vendosi 25 marsin si datën për të trajtuar kërkesën e avokatëve të kryedemokratit që ai të kthehet në Kuvend dhe të lirohet nga masa e “arrestit në shtëpi”.

Avokati i z. Berisha, Genc Gjokutaj, deklaroi se shtyrja e fundit është një “sebep për ta zvarritur çështjen”, që pritet të rezultojë edhe në djegien e mandatit të deputetit për mosparaqitje.

“Prokurorët nuk ishin paraqitur. Kishin dërguar një shkresë sot në sekretarinë gjyqësore në të cilën thuhej se për arsye profesionale ata nuk mund të ishin prezentë. Sigurisht që kjo është një sebep, një justifikim. Ata janë dy prokurorë. Të paktën njëri prej tyre duhet të ishte prezent. Nuk e kuptoj termin ‘arsye profesionale’, sepse profesioni i prokurorit është në hetim dhe gjykim. Me angazhimin e z. Rama në punë të tjera duket kontakti i shkëputur dhe është caktuar një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK-u në kontakt me z. Rama. Si duket kjo vërteton faktin se pa u rreshtuar politika në qëllimin e saj, këta [prokurorët] nuk marrin pjesë dhe vazhdojnë me arsye profesionale,” u shpreh z. Gjokutaj.

Ish-kryeministri Berisha ndodhet që prej datës 30 dhjetor 2023 i izoluar në shtëpi, ndërsa akuzohet nga SPAK për korrupsion në lidhje me dosjen për ish-kompleksin Partizani.

Avokati Gjokutaj dhe vetë z. Berisha kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se luan rolin e gjyqtarit në çështje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme