SHBA në alarm nga Hantavirusi/Evakuohet anija turistike, 18 pasagjerë dërgohen në karantinë në Nebraska

Amerikë | 5 muaj më parë

Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin çdo masë për të shmangur përhapjen e Hantavirusit, pas evakuimit të pasagjerëve nga një anije turistike e prekur. Situata po ndiqet me kujdes të lartë nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të njohura si CDC. Zyrtarët amerikanë deklarojnë se në shëndetin publik nuk ka kurrë garanci absolute, por theksi mbetet te mbrojtja e qytetarëve dhe kontrolli i çdo rreziku të mundshëm.

Deri tani, 18 shtetas amerikanë janë transportuar në SHBA dhe janë vendosur në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, e cila funksionon si njësi kombëtare karantine. Pasagjerët po i nënshtrohen kontrolleve të përditshme dhe disa prej tyre mund të qëndrojnë në izolim deri në 42 ditë.

Autoritetet bëjnë me dije se kohëzgjatja e karantinës do të varet nga gjendja shëndetësore dhe niveli i rrezikut për secilin person. Sipas raportimeve zyrtare, shumica e pasagjerëve janë në gjendje të mirë dhe nuk kanë shfaqur simptoma shqetësuese. Ndërsa disa raste të veçuara po mbahen nën monitorim më të afërt nga ekipet mjekësore.

Zyrtarët amerikanë theksojnë se rreziku për publikun mbetet shumë i ulët dhe se Hantavirusi rrallë transmetohet nga njeriu te njeriu. Sipas ekspertëve, virusi lidhet kryesisht me kontaktin me brejtës të infektuar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin për të shmangur çdo përhapje të mundshme.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme