Shërbimi social me risi, Anisa Subashi: Në Tiranë, klube prindërimi dhe konsulenca për karrierën

Ngritja e “Klubet e Prindërimit” në 27 Njësitë Bashkiake të Tiranës është risia më e fundit nga Bashkia e Tiranës.
Duke folur për këtë angazhim të ri, Drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës, Anisa Subashi, e ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, u shpreh se, “Klubet e Prindërimit” funksionojnë në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës. Në këto njësi bashkiake ofrohen disa modele pozitive për familjet e reja që kanë nevojë për mbështetje.”
Nuk ka një shkollë të mirëfilltë prindërimi, por sikurse u shpreh Subashi, “ofrohet ndihmë nga punonjësit social dhe psikologët e Bashkisë së Tiranës për të gjitha ato nëna të reja që janë pa bashkëshortët e tyre, ose janë të divorcuar, pa të ardhura financiare ose me fëmijët me nevoja të veçanta dhe me aftësitë ndryshe”.
Më tej Subashi duke folur dhe për një angazhim tjetër nga ana e bashkisë së Tiranës, është ajo e konsulencës për këshillimin e punësimit. Sipas saj, të gjithë studentët dhe gjimnazistët marrin informacion për tregun e punës sipas dëshirave dhe aftësive të tyre.
“Kemi hapur një zyrë për Këshillimin e Karrierës , është një model Zviceran dhe këtu ekspertë të ndryshëm nga bashkia, këshillojnë të rinjtë për karrierën e tyre që duhet të kenë në të ardhmen, duke njohur mirë tregun e punës dhe aftësitë e të rinjve,” u shpreh ajo.
“Shërbimet Sociale kanë një diapazon shumë të gjerë dhe ne ofrojmë shërbime për të gjitha njësitë vendore që ka Bashkia e Tiranës,” shtoi ajo.
Sipas saj: “Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me ministritë e linjës, me Shërbimin Social Shtetëror, me Prefekturën, me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, pa lënë pas dore dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Ne mundohemi ti plotësojmë çdo qytetari që vjen në kryeqytet për të jetuar novajat bazike, sepse fluksi i madh i shtimit të qytetit tonë shoqërohet me probleme strehimi, punësimi, ekonomike.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




