Shirat “pushtojnë” vendin/ Balluku: Ja si paraqitet situata energjetike dhe furnizimi me ujë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka shpjeguar situatën e reshjeve që kanë përfshirë vendin.
Sipas Ballukut, strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës ndodhen në terren ku po punohet, pavarësisht vështirësive të motit, për normalizimin e situatës në pikat ku janë evidentuar problematika.
Energjia
Ministrja shpjegon se “aktualisht janë jashtë funksionit 16 fidera, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike për afro 15 mijë abonentë. Në terren për normalizimin e situatës janë 1100 punonjës të OSSH”.
Ndërsa shton se në kaskadë ka pasur prurje të konsiderueshme, por sipas Ballukut ato janë të menaxhueshme.
Akset rrugore
Sa i përket akseve rrugore, Balluku ka bërë të ditur se në rajonin Verior ka pasur rënie gurësh e materialesh në disa zona të segmenteve Skuraj-Peshkopi, Hani i Hotit – Tamarë, Bogë – Theth, Kukës – Shishtavec, Vau Dejës – Pukë, Bajram Curri – Valbonë, Qafë Mali Fierzë Ura e Fanit – Kryqëzim Hadroj, Bujan – Qafë Morinë. Sipas Ballukut, “është punuar gjatë gjithë natës dhe ditës së sotme dhe në këto segmente qarkullohet normalisht”
“Në rajonin Qendror problem është krijuar vetëm tek zona “Shkëmbi Kavajës” ku ka pasur prani uji në korsinë e djathtë. Qarkullimi vijon normalisht. Në aksin Elbasan – Qafë Thanë ka patur rënie gurësh të cilat janë pastruar gjatë natës.
Në rajonin Jugor, është punuar pandërprerje për pastrimin e aksit Përmet – Çarshovë, ku tashmë qarkullimi vijon normalisht. Gjithashtu, rënie materialesh në rrugë ka pasur edhe në Zëmblak – Dogana Goricë, në zonën e Muzinës, Levan – Damës dhe Damës – Tepelenë. Korçë – Voskopojë, Berat – Çorovodë, Ura e Gjormit – Ura e Laskos, Podgorie – Liqenas, por janë pastruar dhe qarkullimi kryhet pa problematika”, shkruan Balluku.
Portet dhe Aeroportet
Lidhur me situatën në porte dhe aeroporte, ministrja Balluku thekson se në Portin e Durrësit nuk janë shfaqur problematika si dhe nuk ka pasur pezullim të operacioneve portuale.
“Tragetet janë akostuar në oraret e parashikuara. Edhe në Portin e Vlorës nuk janë raportuar problematika”, shkruan më tej Balluku.
Ndërkaq, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportin ndërkombëtar të Kukësit deri më tani nuk raportohen problematika.
Furnizimi me ujë
Ministrja Balluku nënvizon se sa i përket furnizimit me ujë në rajonin UK Elbasan, “bashkia Peqin, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike ka pasur stakim në stacionet e pompimit. Në rajonin UK Korçë, bashkia Maliq, u rikthye energjia elektrike dhe stacionet e pompimit janë në punë”
“Në rajonin UK Gjirokastër, aktualisht shfaqen probleme furnizimi në fshatin Humelicë, Gjirokastër dhe fshatin Stegopul, Libohovë për shkak të dëmtimit të tubit të furnizimit për depot e këtyre dy fshatrave.
Në rajonin UK Pogradec, gjatë natës ka pasur ndërprerje të shërbimit në fshatin Gurras dhe Zervaskë, pasi po kryhen punime tek stacioni i pompimit Gurras.
Në rajonin UK Durrës dhe Lezhë, ka pasur reshje të dendura shiu duke ngarkuar infrastrukturën e kanalizimeve, por situata është kthyer në normalitet”, shkruan Balluku, në rrjetet sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



