Shpërdorim detyre, lihen në burg 3 nga zyrtarët e IVMT në Sarandë, 3 të tjerë në ‘arrest shtëpie’

Aktualitet | 3 vite më parë

Gjykata e Sarandës ka vendosur sot masat e sigurimit për 6 zyrtarët e IMT dhe IKMT, të arrestuar të hënën pas urdhër arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës për “shpërdorim detyre” lidhur me 16 ndërtime pa leje kryesisht në zonën e Ksamilit.

Në përfundim të seancës, trupa gjykuese ka lënë prapa hekurave tre nga të arrestuarit, ndërsa tre të tjerët janë lënë nën masën e arrestit në shtëpi. Gjykata e Sarandës ka konfirmuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish-kryeinspektorin e IVMT të Bashkisë Sarandë, Artur Musai dhe dy inspektorët Erton Zekaj dhe Besian Koçi, ndërkohë që ka ndryshuar masën e sigurisë për inspektorin e IVMT Vangjel Xhavara, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.

Gjykata ka konfirmuar gjithashtu edhe masat “Arrest në shtëpi” për dy inspektorët e IKMT, Erjon Çakalli dhe Denis Balili, punonjës të IKMT-së. Nga hetimet e Prokurorisë së Sarandës ka rezultuar se që prej fillimit të këtij viti, inspektorët e ndertimit nuk kanë bërë asnjë kallëzim penal në prokurori për ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil, ndërkohë që policia ka referuar 49 raste. Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar 16 objekte me destinacion banimi dhe biznese në zonën më të lakmuar bregdetare në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme