“Shqipëria fiton Mirëqënien Sociale”, Basha: Dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike, rrisim pensionet të paktën 5% në vit

Partia Demokratike prezantoi sot programin “Shqipëria fiton mirëqenien sociale”. Kreu i opozitës shqiptare Basha premton se me PD në qeveri do të dyfishohet menjëherë asistenca ekonomike për familjet në nevojë, do të rrisë pensionet për 650 mijë pensionistë, do të subvencionojë në mënyrë të plotë interesat e kredive për 20 mijë familje e çifte të reja. “Unë angazhohem për rritjen e pensioneve për 650 000 pensionistët shqiptarë, dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit! Ne nuk do t’i braktisim kurrë pensionistët tanë, që i dhanë kaq shumë vendit tonë të mrekullueshëm dhe familjeve tona. Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet” premtoi zoti Basha.
Në programin e mirëqenies sociale, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë me dije se do të bëjë pjesë të qeverisë së tij persona me aftësi të kufizuar. Ai tha se ato do të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes. “Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë”, tha kreu i PD Basha.
Një tjetër angazhim, për të cilin zoti Basha zotohet ta përmbushë pas zgjedhjeve parlamentare te 25 prillit është edhe subvencionim i plotë i interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. “Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja. Për të ardhmen tonë, për ata që kemi detyrë t’ju sigurojmë kushtet më të mira dhe mundësinë për sukses në jetë. Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre”, tha lideri demokrat Basha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




