Shtëpia e Bardhë zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor: Rajoni mbetet kërcënim për sigurinë e SHBA-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për zgjatjen edhe me një vit të emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij njoftimi zyrtar, i cili do t’i transmetohet Kongresit dhe do të publikohet në Regjistrin Federal, Uashingtoni konfirmon se situata në rajon, e karakterizuar nga korrupsioni i përhapur dhe përpjekjet për minimin e marrëveshjeve të pasluftës, vijon të përbëjë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.
Ky vendim pason një sërë urdhrash ekzekutivë të ndërmarrë nga krerët e shtetit amerikan përgjatë 25 viteve të fundit, duke reflektuar një qëndrim të palëkundur ndaj faktorëve destabilizues.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, emergjenca kombëtare duhet të vazhdojë në fuqi përtej 26 qershorit 2026,” thuhet në dekretin e zbardhur presidencial.
Urgjenca kombëtare për rajonin e ka zanafillën më 26 qershor 2001, kur përmes Urdhrit Ekzekutiv 13219 u sanksionuan personat që mbështetnin dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut dhe ata që pengonin zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë apo Rezolutës 1244 në Kosovë. Më vonë, kjo kornizë u zgjerua për të përfshirë edhe shkelësit e Marrëveshjes së Ohrit.
Masa e fundit administrative mbështetet gjithashtu mbi Urdhrin Ekzekutiv 14140, të nënshkruar më 8 janar 2025. Ky urdhër erdhi si përgjigje ndaj dinamikave të reja negative në rajon, ku individë dhe rrjete të caktuara kanë tentuar të sfidojnë integritetin territorial të shteteve ballkanike dhe të gërryejnë sundimin e ligjit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, urdhri i vitit 2025 synon në mënyrë specifike goditjen e atyre që tentojnë t’u shpëtojnë ose të shmangin sanksioneve ekonomike të vendosura tashmë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




