Zelensky në OKB: Kufizoni tregtinë me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të mërkurën që të vazhdojnë të pengojnë burimet financiare të Rusisë dhe të kufizojnë aftësinë e saj për të mbështetur luftën.
Duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai theksoi se “Kur dikush i jep Rusisë më shumë para përmes tregtisë, i jep kësaj lufte më shumë kohë. Prandaj ne këmbëngulim në kufizimin e tregtisë me agresorin dhe po i djegim vetë të ardhurat e Rusisë.”
Rusia pritet t’i drejtohet Asamblesë të shtunën, ndërsa presidenti Vladimir Putin nuk ka marrë pjesë në takim prej vitesh, duke dërguar në vend të tij ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov. Ky i fundit deklaroi në Këshillin e Sigurimit se Moska është e gatshme të negociojë për një paqe të qëndrueshme, por nuk do të pranojë një “pauzë” të luftës, pasi sipas tij kjo do t’i jepte Ukrainës dhe aleatëve të saj kohë për të furnizuar më shumë armë.
Zelensky e përshkroi Putinin si “Pacienti Zero” të luftës, duke shtuar se “Diçka duket se gjithmonë e ndalon Putinin të thotë: ‘Mjaft, Paqe’. Ai është ‘Pacienti Zero’, ai nga i cili lufta vazhdon të përhapet më tej. ‘Pacienti Zero’ duhet të ndalet.”
Lufta, e cila ka nisur më shumë se katër vjet e gjysmë më parë, ka shkaktuar pasoja të rënda globale në tregjet e karburantit, plehrave dhe drithërave, si dhe ka thelluar përçarjet midis Rusisë dhe Perëndimit. Analistët perëndimorë vlerësojnë se mbi 500,000 trupa ruse janë vrarë, ndërsa Ukraina ka regjistruar mbi 500,000 viktima ushtarake, përfshirë deri në 140,000 të vrarë. Asnjëra palë nuk ka publikuar shifra zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




