Sistemi TIMS nën sulm edhe nga persona në kërkim, Salianji ngre alarmin: Është akoma i ekspozuar

Politikë | 2 vite më parë

Kryetari i Komisionit Hetimor për Sigurinë e Sistemit TIMS deklaroi se policia ka mundësuar që persona në kërkim prej saj të shmangin sistemin dhe të kalojnë lirshëm në kufi. Deklaratën zoti Salianji e bëri gjatë një interviste me gazetaren Elona Meço në RTSH, ku ngriti alarmin se sistemi është akoma i ekspozuar.  Zoti Salianji tha se i bazon këto përfundime në dokumente zyrtare që provojnë abuzimin me sistemin e sigurisë TIMS.

“Ka pretendime nga drejtues të Policisë së Shtetit se sistemi TIMS ka qenë lehtësisht i aksesueshëm nga persona jashtë Policisë së Shtetit. Kam dokumentacion zyrtar se persona të paautorizuar, që nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, kanë pasur akses të paautorizuar në sistemin TIMS përpara ndërhyrjes së 1 gushtit 2023. Eprorët janë informuar se ka pasur individë që u kanë krijuar akses personave, të cilët nuk kanë lidhje fare me të qenit zyrtar i shtetit. Një dokument tjetër bën me dije se, me kontaktin e duhur në Policinë e Shtetit, persona në kërkim kanë bërë të mundur që emri i tyre të mos dalë në sistem që janë në kërkim, kur ata kanë kaluar në pika kufitare.”- tha zoti Salianji, i cili iu përgjigj drejtpërsëdrejti pyetjes, nëse sistemi është apo jo i ekspozuar aktualisht.

“Absolutisht që po. Është i ekspozuar. Ndihma që do të japë komisioni hetimor është e jashtëzakonshme, por i takon prokurorisë të zbulojë arsyet, nëse ka pasur porositës dhe nëse porositësit kanë qenë njerëz politikë apo të grupeve të strukturuara kriminale.”- theksoi kreu i komisionit hetimor për TIMS-in.

Aktualisht, komisioni “Salianji” është duke verifikuar edhe disa pretendime se drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë gënjyer Parlamentin në vitin 2022, kur deklaruan në Komisionin e Sigurisë se hakerat iranianë nuk e dëmtuan sistemin.

“Sipas informacioneve që ne do t’i konfirmojmë, të gjithë të dhënat policore, janë hakeruar në vitin 2022. Ne po punojmë për ta verifikuar dhe kemi dyshime të arsyeshme se kjo ka ndodhur realisht dhe që sistemi është prekur”- tha Ervin Salianji në emisionin “Pa Censurë”. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme