Skema për naftën pa akcizë, fondi 12 mln euro

Ekonomi | 3 vite më parë

Për të katërtin vit, fermerët e sektorit të bujqësisë do të mbështeten me naftë pa akcizë. 

Skema që nisi zbatimin nga viti 2021, për këtë vit parashikon mbështetje rreth 1,2 miliardë lekëve.

Por ndryshe nga vitet e kaluara, subjektet nuk do të tërheqin sasinë e naftës përfituese, por do të përfitojnë pagesa për uljen e kostos për naftën, që përdoret për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore. Kriteret dhe masa e përfitimit, janë përcaktuar në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë të botuar në Fletoren Zyrtare.

Referuar tabelës për normativat e konsumit të naftës dhe sasia respektive e naftës, për të cilën përllogaritet vlera e përfitimit sipas kulturave të mbjellave për grupin e parë të kulturave si: misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum normativa e konsumit është 190 litra/ha. Sasia e naftës që përfitohet është 97 litra për ha. Këtë vit, fermeri subvencionin e naftës e përfiton në vlerë. Për këtë grup kulturash vlera që përfitohet është 18,789 lekë/ha.

Për grupin e dytë e të mbjellave, si: grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk vlera që përfitohet është 12,784 lekë/ha.

Për grupin e tretë të mbjellave me foragjere shumëvjeçare, bimë aromatike-mjekësore do të përfitohet 8,910 lekë /ha.

Ndërsa për drurët frutorë dhe të perimeve të fushës dhe serrës, pagesat për naftën variojnë nga 3,946 lekë/ha deri  8,789 lekë/ha.

Skema përmban dhe penalitete. 

Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, me shmangie më të madhe se 20% ose me deklarime/dokumente të pasakta, përjashtohet për 3 vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme