Sot, 4 vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, fokusi te rindërtimi i vendit nga pasojat

Kjo e diel shënon katërvjetorin e tërmetit tragjik të ndodhur më 26 nëntor 2019, ku si pasojë humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 1 mijë të tjerë.
Në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6,4 me një epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit. Qindra të plagosur, la pas ajo dridhje e fuqishme e tokës, kryesisht ne Durrës, Kurbin, Tiranë e Lezhë.

Dridhja u ndje rreth 370 kilometra në verilindje të epiqendrës. Sipas sizmologëve, për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.
Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit ku dhe sot që ka kaluar katër vjet nga tragjedia janë akoma të pa-sistemuar nëpër banesa.

Mbi 200 mijë persona u preken direkt nga dëmet që la pas. Shqipëria u kthye menjëherë në qendër të raportimeve të mediave botërore. Shqiptarët, fqinjët, partnerët nisen mobilizimin e shpejtë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë.
Shembje pallatesh, shkolla e institucione, shtëpish dhe të tjera godina të dëmtuara. Thirrjet dëshpëruese të familjareve qe të afërmit i kishin nën rrënoja, sirenat e autoambulancave, policisë, zjarrfikësve, ushtrisë, ushtonin ngado.
Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për qytetin e Durrësit, Thumanën dhe Tiranën, që do të zgjaste 30 ditë dhe më pas u zgjerua për qytetin e Laçit dhe Lezhën.

Menjëherë pas tërmetit u ngritën grupet e punës ku trupës së të inxhinierëve dhe forcave xheniere shqiptare iu bashkuan dhe ato greke, turke dhe izraelite, ku nga inspektimi u konstatuan mbi 14 mijë godina të dëmtuara plotësisht ose të pjesshme.
Dëmi financiar për rindërtimin e asaj çfarë u dëmtua nga ky termet shkonte rreth 844 milionë euro.
Qeveria shqiptare përballej më një sfidë tepër të madhe për rindërtimin e asaj që u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shumë shtete ndërkombëtare u vendosën në solidaritet me Shqipërinë dhe ku organizuan në muajin shkurt të 2020 Konferencën e donatorëve ‘Bashkë për Shqipërinë’ duke kaluar çdo pritshmëri, arriti të grumbullojnë në një vlerë prej 1.15 miliardë euro (grante, projekte dhe hua) të grumbulluara për rindërtimin e Shqipërisë, prej tyre 300 mln euro grante.
Vendi ynë mori mbështetjen e Komisionit Evropian për integrimin në BE, ndërkohë që shtete e solidarizuar me vendin tonë pas tërmetit tragjik, thanë njëzëri se Shqipëria duhet të jetë në familjen evropiane për të përballuar fatkeqësi të tilla natyrore.
Qeveria shqiptare vazhdon planin për buxhetimin deri në përfundim të Programit të Rindërtimit për gjithë ndërtesat të dëmtuara nga ky tërmet i 26 nëntorit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



