SPAK dokumenton rastin e blerjes së votave në Fier, vendoset në pranga babai i kandidates së PSD

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dokumentuar një rast të blerjes së votave ku është vendosur në pranga Pandeli Bozha, babai i kandidates së PSD në Fier, Limonera Bozha.
Ai është arrestuar me urdhër të SPAK nën dyshimin e korrupsionit aktiv në zgjedhje, ndërsa dyshohet se ka ndërhyrë dhe manipuluar procesin zgjedhor.
“Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave. Vihet në pranga autori. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e policisë së Fierit.
Duke iu referuar hetimeve të kryera nga SPAK dyshohet se gjatë një muaji, Bozha iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.
Ndërkaq, materialet procedurale iu referuan SPAK-ut për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, në një rast tjetër, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë, pasi ka kallëzuar shtetasi J. Ç., 28 vjeç, se shtetasi 27-vjeçari, nënkryetar i një subjekti politik në Lushnjë, e ka kanosur në platformën “Messenger”, për dhënien e votës. Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrjes në zgjedhje”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




