Spiropali prezanton fituesit në Qarkun Shkodër, Beci: Do të punoj për secilin qytetar, pavarësisht se më ka votuar apo jo

Politikë | 4 vite më parë

Benet Beci, kryebashkiaku i ri i Shkodrës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, premtoi në një komunikim me mediat se do të punojë për një Shkodër që të jetë e të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike, ngjyrave partiake, apo nëse e ka votuar apo jo.

Deklarata e Becit u bë gjatë një konference shtypi ku drejtuesja politike e qarkut Shkodër, Elisa Spiropali, prezantoi të gjithë kandidatët e PS-së që fituan në Qarkun e Shkodrës, si kryebashkiakë.

“Akoma nuk më kanë mbaruar emocionet e këtyre 2 ditëve të jashtëzakonshme. Qytetarët e Shkodrës folën. Ishin pro zhvillimit, pro ndryshimit. Pas një muaji fushate, ku folëm për projektet për një Shkodër më të mirë, qytetarët na besuan. I jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin. Do duhet një punë e madhe për të justifikuar besimin e tyre. Do të punoj për secilin qytetar të Shkodrës, pavarësisht se më ka votuar apo jo, pavarësisht forcës politike që ai përfaqëson”– deklaroi Beci.  

Ai ka shprehur mirënjohje ndaj çdo anëtari të PS, stafit, etj., të cilët kanë qenë në mbështetje të idesë për të sjellë ndryshimin në Shkodër.

“I jam mirënjohës çdo demokrati, pavarësisht dyshimeve që ka pasur. Jemi përpara një sfide të jashtëzakonshme për të bërë atë që kemi premtuar. Bashkëpunimi me kryeministrin Rama do të jetë i plotë për zbatimin e projekteve.”– deklaroi Beci.

Ndërsa Spiropali, në fjalën e saj, u shpreh se në Shkodër është tejkaluar çdo pritshmëri dhe se qyteti është ngritur dhe do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi, nga Dukagjini në Velipojë.

“Është bërë një fushatë e jashtëzakonshme që me ka mbresuar fort si drejtues e politike e këtij qarku. Një kryetar i ri bashkie për Shkodrën, Benet Beci, Kristjan Shkerli për Vaun e Dejës, dhe Tonin Marinaj për Malësinë e Madhe. Ne i kemi takuar pothuajse të gjitha komunitete dhe i jemi shumë mirënjohës për të gjithë aktivistët e PS, por edhe ata që na janë bashkuar nga forca të tjera politike, për të vazhduar përpara në të gjithë qarkun Shkodër. Në Shkodër është bërë një fushatë që tejkalon çdo mundësi, me përulësi dhe një qasje të re për bashkinë e Shkodrës. Shkodra është ngritur dhe do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik. Falënderojmë çdo votues, pavarësisht se për kë ka votuar”,- tha Spiropali.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme