Stoltenberg: Dyert e NATO-s janë të hapura për Ukrainën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se dyert e aleancës janë të hapura, por se Ukraina duhet të zbatojë reformat.
“Sa më e suksesshme të jetë Ukraina në zbatimin e reformave, aq më shpejt mund të arrijë anëtarësimin në NATO”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media pas takimit të tij me kryeministrin ukrainas, Denys Shmyhal.
Stoltenberg theksoi se “dera e NATO-s mbetet e hapur”, duke shtuar se udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë mbi politikën e zgjerimit të aleancës ushtarake gjatë takimit të tyre në Bruksel.
Ai po ashtu njoftoi se NATO ka rritur praninë e saj mbi Detin e Zi me tre anije detare amerikane dhe me patrullim ajror, sepse siç tha ai, “ne e dimë rëndësinë e saj të madhe strategjike për aleatët dhe Ukrainën”.
Stoltenberg theksoi se NATO në vazhdimësi ka rregulluar praninë e saj mbi Detin e Zi në mënyrë që “ajo të mos dominohej nga një vend, Rusia”.
I pyetur në lidhje me zhvillimet e fundit në Moskë, Stoltenberg kundërshtoi dënimin e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, si dhe kërkoi lirimin e tij dhe të mbështetësve të tij pa kushte dhe menjëhershëm.
Ai po ashtu kritikoi forcat ruse të sigurisë për “përdorimin e tyre të dhunës në shtypjen e zërave të ligjshëm të opozitës”, si dhe shtoi se vendimi i javës së kaluar mbi opozitarin rus ishte një “shtrembërim i drejtësisë duke shënjestruar viktimën e një sulmi me agjent kimik”.
Një gjykatë në Moskë javën e kaluar dënoi Navalny-n me dy vite e tetë muaj burg për shkelje të lirimit me kusht.
Lideri i opozitës u arrestua në kryeqytetin rus pas kthimit të tij nga Gjermania më 17 janar, ku ai mori trajtim pas helmimit nga një agjent kimik i shkallës ushtarake që i përkiste grupit Novichok./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




