Sulm me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, qëllohet për vdekje gjyqtari Astrit Kalaja. Arrestohet autori
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku një person i armatosur raportohet se ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke i marrë jetën.
Të shtënat nga autori i dyshuar Elvis Shkambi i shkaktuan plagë fatale viktimës. Ai mësohet se u transportua menjëherë për ndihmë, por mbërriti pa shenja jete në Spitalin e Traumës.
Ngjarja ndodhi brenda sallës së gjyqit, ku gjyqtari i ndjerë po ndiqte procesin me palë të tjera. Pjesëtarët e një familjeje, atë e bir, njoftohet se u plagosën në vendngjarje, në kraharor e gjymtyrë, por pa rrezik për jetën.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën,” njoftoi Policia e Shtetit.
Autori i dyshuar i ngjarjes u arrestua pas sulmit dhe është shoqëruar në Komisariatin nr. 1 në kryeqytet. Ai raportohet se e ka pranuar vrasjen. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe armën e krimit.
Paraprakisht mësohet se i dyshuari Shkambi ka qenë pala e dëmtuar e një procesi gjyqësor për një çështje pronësie, e cila po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja. Ky fakt mësohet se u shqiptua prej tij para se të hapte zjarr brenda sallës së gjyqit.
Gjyqtari Astrit Kalaja u emërua në këtë detyrë në vitin 1993. Fillimisht ai punoi në Gjykatën e Apelit të Shkodrës dhe më pas pranë Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në vitin 2019, kur shumë nga kolegët e tij ngelën në procesin e vlerësimit, Kalaja e kaloi me sukses vetingun për t’u rikonfirmuar në detyrë. Prej 12 vitesh ai ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe publikisht emri i tij nuk është përmendur për kërcënime nga palë të tjera apo për situata gjatë karrierës.
Detaje të reja nga ngjarja dhe arrestimi i autorit
Autori Elvis Shkambi ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, ku në orën 14:00 kishte nisur një seancë për një çështje pronësie në të cilën ai ishte palë. Seanca ka vijuar normalisht derisa gjyqtari Kalaja u njoh me pretendimet e të dyja palëve. Më pas gjyqtari në fund ka dhënë vendim në favor të palës kundërshtare të Shkëmbit, që po ashtu mbetën të plagosur.
Pas përfundimit të seancës, të pranishmit kanë nisur të dalin nga salla, edhe Kalaja, për të shkuar në drejtim të korridorit të gjykatës. Shkambi e ka qëlluar me pistoletë gjyqtarin. Pas krimit, autori i ka dorëzuar armën rojës së sigurisë të gjykatës dhe më pas është larguar drejt oborrit, ku ndodhej edhe patrulla e policisë. Ai Nuk ka bërë rezistencë dhe ka qëndruar në oborr derisa policët i vendosën prangat.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




