Transformimi i Sazanit, Rama: Projekti në shqyrtim, duhet të përputhet me vizionin tonë

“Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar, është ambiecie e kahershme”, kështu ka deklaruar këtë të martë (19 mars) kryeministri Rama në lidhje me propozimin e kompanisë “Affinity Partners” të dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner për ndërtimin në ishullin e Sazanit të një resorti luksoz.
Kreu i qeverisë nuk fshehu kënaqësinë për propozimin e bërë, ndërsa u shpreh se është ende në fazë shqyrtimi. Ai deklaroi se është bërë një aplikim në Agjencinë e Investimeve të Huaja dhe se ku projekt duhet të përputhet me vizionin e qeverisë “Rama”.
“Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është një ambicie e kahershme. Për hir të së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paraardhës të mitë. Nuk është bërë ende realitet.
Ishte i damkosur si një vend i të gjitha të këqijave, por sot Shqipëria është bërë një adresë gjithmonë e më e kërkuar, jo vetëm nga turistët por edhe nga investitorët. Ne jemi të kënaqur që kemi një propozim. Propozimi nuk është ende në procesin e domosdoshëm ku duhet të kalojnë disa shkallë. është bërë një aplikim në Agjencinë e Investimeve të Huaja AIDA do e shqyrtojmë dhe nëse projekti përputhet me vizionin tonë dhe domosdoshmërinë e krijimit të një ekuilibri mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës duke e kthyer natyrën në asetin kryesor të atij zhvillimi, do ecim para”, u shpreh kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




