Tregu unik i pagesave – Përfitojnë konsumatorët, biznesi dhe emigrantët shqiptarë

Ekonomi | 3 vite më parë

Lehtësi për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë, por edhe formalizim të dërgesave të emigrantëve.

Ministeriali i Bankës së Shqipërisë që u zhvillua të mërkurën, synonte objektivat e Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, që lidhet me përafrimin e kuadrit shqiptar me atë të Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për shërbimet e pagesave.

Pak kohë më parë është miratuar edhe ligji për llogarinë e pagesave për shërbime bazike, edhe ky i përafruar me direktivën e BE-së.

Sikurse ka bërë të ditur edhe RTSH, Banka e Shqipërisë ka nisur punën për anëtarësimin e Shqipërisë në Tregun Unik të Pagesave ose njohur ndryshe SEPA, që prej vitit 2021, kur u bë pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Po çfarë do të thotë kjo pjesëmarrje?

Kjo pjesëmarrje krijon lehtësira për bizneset dhe konsumatorët shqiptarë në terma të kostos, kohës dhe thjeshtësisë me të cilën do të kryejnë transaksione ndërkufitare brenda tregut europian. 

Kontributi kryesor vërehet në disa sektorë strategjikë, siç është turizmi dhe eksportet me BE, ndërkohë që ndikon dhe formalizimin e flukseve të remitancave, apo dërgesave të emigrantëve.

Sakaq pagesat e shpejta janë një mundësi alternative për pagesat elektronike, sigurojnë pagesa përgjatë 24 orëve në çdo ditë të javës me kosto më të ulëta se instrumenti alternativ, kartat.

Kjo skemë ofron edhe standarde të sigurta për funksionimin e open banking, si dhe garanton sigurinë dhe konfidencialitetin e kryerjes së pagesave nga përdoruesit e shërbimeve të pagesave. 

Pagesat e shpejta janë një instrument që mundëson zhvillimin e projekteve të tjera të ndërlidhura të qeverisë, si ai mbi zhvillimin e tregtisë elektronike, digjitalizimit të plotë të fiskalizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve në e-Albania.

Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)” organizuar nga Banka e Shqipërisë i shërbeu pikërisht këtyre qëllimeve.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme