Tullumbacet me monoksid azoti/ PL kërkesë Parlamentit: Të ndryshohet ligji dhe të klasifikohet si lëndë me rrezikshmëri të lartë

Nën Kryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka bërë me dije se Partia e Lirisë ka dorëzuar në Parlament një kërkesë për klasifikimin e tullumbaceve me monoksid azoti, si lëndë me rrezikshmëri të lartë.
Sipas dokumentit të bërë publik, mësohet se, Partia e Lirisë ka kërkuar në komisione plotësimin e vakumit ligjor, duke e klasifikuar këtë gaz si lëndë të dëmshme për shëndetin e të rinjve dhe duke e ndaluar përdorimin e tij përveçse për qëllime mjekësore.
“PL ka kërkuar ndryshimin e ligjit dhe krijimin e bazës ligjore për ndalimin e prodhimit, shpërndarjes dhe tregtimit të monoskidit të azotit, duke e klasifikuar atë si lëndë me rrezikshmëri të lartë që përdoret vetëm në mjekësi”, shkruan Xhixho.
Deputetja Xhixhi shton se “tullumbacet me monoksid diazoti, të cilat po përdoren masivisht nga nxënësit e shkollave të mesme (pa përjashtuar edhe ato 9-vjeçare) dhe studentëve, janë kthyer në rrezik për shëndetin e të rinjve dhe fëmijëve.Pak ditë më parë u raportua edhe rasti i parë i një të riu 15-vjeçar, i cili shkoi në spital në gjendje të rëndë, si pasojë e konsumimit të këtij gazi.
Ndër të tjera deputetja e PL-së, shkruan se, “pas kanabisit dhe ketaminës, ky gaz rezulton një nga substancat më të keqpërdorura mes 16 dhe 24-vjeçarëve në botë. Ky gaz ngadalëson reagimin psikomotor dhe mund të japë halucinacione, dhimbje të forta koke dhe ndjenja paranoje. Përdorimi i shpeshtë i tij mund të shkaktojë probleme me zemrën, mbytje dhe dëmtime nervore dhe nëse merret mbidozë, mund të çojë në paralizë ose vdekje”, shkruan Xhixho.
Ndaj shprehet ajo, askush nuk mund të nxjerrë fitime duke helmuar rininë e këtij vendi”.
“ Është emergjente dhe duhet të veprojmë sot, pasi shëndeti i fëmijëve shqiptarë duhet të jetë prioritet”, e mbyll deklaratën deputetja e PL-së, Xhixho.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




