Turistët e huaj në Korçë/Fluksi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar, Suedia është një nga tregjet e reja
Fluksi i turistëve të huaj gjatë muajve të verës në qarkun e Korçës vijon të jetë në të njëjtat nivele me një vit më parë, ndërsa këtë sezon është vënë re edhe prania e turistëve nga Suedia. Sipas operatorëve turistikë, bëhet fjalë kryesisht për grupe të strukturuara nga vende të ndryshme të Evropës, që zgjedhin juglindjen e vendit për klimën e favorshme dhe destinacionet që ofron.
“Këtë vit kemi qenë pothuajse në të njëjtat shifra si vitin e kaluar. Kemi pasur kryesisht turistë të huaj nga e gjithë Evropa. Risi këtë vit kanë qenë turistët suedezë, të cilët kanë filluar ta preferojnë Korçën, dhe besoj se do të kemi një zgjerim të këtij tregu. Po ashtu, turistët gjermanë dhe polakë e kanë tashmë traditë të vizitojnë Korçën në çdo verë, kryesisht për shkak të klimës që ofron qyteti. Gjithashtu, edhe turistët spanjollë kanë qenë shumë të shumtë në numër”, u shpreh Eriketa Koçollari, Operatore turistike.
Për muajin gusht, rezervimet vijojnë me të njëjtin trend, ndërsa operatorët presin një rritje të fluksit të vizitorëve për shkak të zhvillimit të Festës së Birrës në Korçë.
“Për muajin gusht vazhdojmë të mbetemi në të njëjtat trende, me një numër të lartë turistësh të huaj. Presim që së shpejti të fillojnë masivisht rezervimet për Festën e Birrës, por mendoj se, duke qenë se është periudhë vere, njerëzit janë me pushime dhe priren t’i bëjnë rezervimet në minutën e fundit. Kjo lidhet edhe me emigrantët, të cilët kthehen në vend gjatë kësaj periudhe dhe shpesh vendosin në momentet e fundit për të marrë pjesë në Festën e Birrës. Megjithatë, është e pritshme që edhe këtë vit të jemi sërish plot gjatë Festës së Birrës”, tha ajo.
Fluksi i turistëve të huaj pritet të mbetet i lartë deri në fund të shtatorit në të gjithë juglindjen e vendit. Pas kësaj periudhe, struktura e vizitorëve ndryshon, me turistët vendas dhe ata nga vendet e rajonit që zënë pjesën më të madhe të fluksit turistik.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





