Turizmi me rulota në Gjirokastër/ Vizitorë nga e gjithë bota shijojnë atraksionet turistike

Gjirokastra vitet e fundit po njeh një tjetër lloj turizmi, atë me rulota. Kampingjet e ngritura nga banorët, po shërbejnë si stacione pushimi disa ditore për turistët, që vizitojnë qytetin e gurtë. Disa vijnë për herë të parë, e disa të tjerë rikthehen përsëri, për të parë ato vende me të cilat njihen nëpërmjet rrjeteve sociale dhe miqtë e tyre.
”Erdhëm në Gjirokastër dje dhe do të qëndrojë 2 ditë, për një muaj do të bëjë një tur në të gjithë Shqipërinë me rulotën time. Është shumë praktike dhe e lehtë të bësh të tilla ture me rulotë dhe më pas të akomodohesh në kampingje”, thotë një turiste.
“Do të qëndrojë vetëm një natë në Gjirokastër, na pëlqen të udhëtojmë me rulota pasi e kemi më të lehtë të shohim çdo vend që na pëlqen duke e pasur dhe kohën në dispozicion, Gjirokastra është një vend historik më shumë atraksione që të tërheqin” , thotë një tjetër turiste.
Gjirokastra këtë sezon turistik cilësohet si mbretëresha e turizmit shqiptar. Promovimi jo vetëm nga mediat me prestigjioze, por edhe aktivitetet e shumta që po realizon bashkia e kanë kthyer qytetin e gurtë në kryeqendrën e turizmit shqiptar. Përllogaritet që këtë vit në Gjirokastër të kenë ardhur 200 mijë turistë , ndërkohë që në gjithë vendin, kjo shifër shkon në mbi 6 milionë turistë nga mbarë vendet e botës.
Gazetar M. Merhori
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




