Turizmi rural në Gjirokastër, pranvera ka sjellë rritje të kërkesave nga turistët
Pranvera ka sjellë lëvizjet e para të turistëve në zonat rurale të Gjirokastrës, duke shënuar një nisje të hershme dhe premtuese të sezonit turistik në këtë qark. Rritja e vizitorëve po shihet si një tregues pozitiv për zhvillimin e turizmit rural në zonë.
Në fshatin Asim Zeneli, familja Shuaipaj, e njohur prej vitesh për ofrimin e shërbimeve të akomodimit në bujtinë, po mirëpret këto ditë turistë nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Italinë dhe Gjermaninë.
“Ne do të qëndrojmë vetëm pesë ditë në Shqipëri. Shfrytëzuam mundësinë për të ardhur, edhe pse nuk mund të qëndrojmë aq sa do të dëshironim. Është një vend shumë i bukur dhe nuk kemi plane të përcaktuara, thjesht po lëvizim spontanisht dhe po ndjekim rekomandimet e njerëzve. Kështu përfunduam edhe në këtë fshat dhe jam shumë i kënaqur që erdhëm këtu. Është vërtet shumë bukur. Është hera e parë që qëndrojmë në këtë bujtinë e gjetëm në internet. Ka vlerësime shumë të mira dhe i meriton plotësisht, sepse mikpritja ka qenë e jashtëzakonshme. Njerëzit janë shumë miqësorë dhe natyra është shumë e bukur”, u shpreh një turist.
“Është hera jonë e parë këtu dhe po na duket shumë bukur. Shqipëria po na pëlqen shumë do të doja të kthehesha sërish këtu. Tani është fillim pranvere dhe kam dëgjuar se në verë është shumë më i ngarkuar me turistë, por besoj se edhe atëherë duhet të jetë po aq i mrekullueshëm”, tha një turiste tjetër.
Nga ana tjetër, administratori i bujtinës thekson se interesi për rezervime është në rritje dhe se kalendari për muajt në vijim është duke u mbushur me kërkesa të shumta. Kjo, sipas tij, krijon pritshmëri pozitive për një sezon të suksesshëm turistik në zonë.
“Kam 5 vjet që e menaxhoj këtë bujtinë dhe sivjet mendoj që do të ketë një sezon turistik”, u shpreh administratori Flamur Shuaipaj.
Ky zhvillim shihet si një tregues i rritjes së interesit për turizmin rural në Gjirokastër, i cili po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje nga vizitorët e huaj. Nisja e sezonit turistik në këtë mënyrë pritet të japë një ndikim pozitiv për ekonominë lokale dhe promovimin e zonave rurale të Gjirokastrës.
Gazetare B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





