Vaksina antiCOVID/ LSI: Shqiptarët duan të dinë kur fillon vaksinimi

Politikë | 6 vite më parë

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë se nuk ka një plan konkret për vaksinimin.

Përmes një deklarate për mediet, nga selia e LSI, nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, ka kërkuar nga ekzekutivit të flasë konkretisht.

“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar që më 27 dhjetor, më në fund, të gjitha vendet evropiane fillojnë vaksinimin. Sigurisht shqiptarët janë evropianë si gjithë evropianët e tjera dhe Shqipëria formalisht është edhe një vend kandidat për në Bashkimin Evropian”,- tha Vasili.

“Sot, në këtë moment shumë delikat, ka disa pyetje shumë të rëndësishme që sigurisht që lidhen vetëm me qeverinë e Shqipërisë dhe me Ministrinë e saj të Shëndetësisë si pjesë e qeverisjes, përgjigjet e të cilave shqiptarët i presin me padurim. Së pari, shqiptarët duan të dinë kur fillon vaksinimi i qytetarëve shqiptarë? Sot nuk ka asnjë datë, as të afërt e as të largët lidhur me këtë çështje dhe për muaj të tërë në horizont nuk ka asnjë indikacion apo shpresë që ky vaksinim të fillojë”,- vijoi Vasili.

“Sigurisht që dihet edhe nga ato informacione të pakta që qeveria jep që është negociuar me COVAX-in, një mekanizëm përkatës i lidhur me OBSH-në për të vaksinuar 20 për qind të popullatës. Pyetja e madhe që bëjnë tërë shqiptarët është: Po pjesa e mbetur e popullsisë? Sepse ky është një vaksinim i tërë popullatës së një vendi. Po mbi 75 për qind të tjerë si dhe kur vaksinohen? Pandemia nuk zgjedh. Ajo ka goditur fort personelin shëndetësor, ka goditur moshat e avancuara por edhe mjaft mosha të reja”,- tha Vasili.

“E meqë bëhet fjalë për vaksinimin, kurdo që të ndodhë, Shqipëria është një vend i varfër, me resurse jo të mëdha. Pra që sot fillon përgatitjet për t’i dalë përpara një aksioni kombëtar vaksinimi, që për dimensionin e tij është ndoshta më i madhi që mund të jetë përballuar një historinë e sistemit vaksinimit shqiptar. Pra kërkon mobilizime të jashtëzakonshme fuqish dhe logjistike”,- tha Vasili.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme