Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, ulet me 6 lekë nafta, benzina 3 lekë më pak

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Sipas vendimit të ri, nafta do të shitet me 6 lekë më pak për litër, ndërsa benzina me 3 lekë më pak.
Nga sot, 5 nëntor, çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë jo më shumë se 210 lekë për litër, nga 216 lekë që ishte më parë. Ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 169 lekësh për litër, nga 172 lekë.
Bordi ka përcaktuar gjithashtu çmimet e shitjes me shumicë, të cilat do të jenë jo më shumë se 198 lekë për litër për naftën dhe 157 lekë për litër për benzinën.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot në orën 13:45 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 5 Nëntor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 169 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 157 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 5 ora 13.45 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




