‘80% më shumë fonde për trashëgiminë kulturore’, Gonxhja: Katërfishohen investimet, prioritet monumentet dhe muzetë

Kulturë | 45 minuta më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi në Komisionin Parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën Projektbuxhetin 2027 të ministrisë, duke e cilësuar atë si një buxhet që synon të konsolidojë rolin e turizmit, kulturës, sportit dhe rinisë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Gonxhja tha se projektbuxheti i vitit 2027 arrin në 7.65 miliardë lekë, me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2026, ndërsa synon të garantojë vazhdimësinë e investimeve strategjike, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen e politikave zhvilluese në sektorët që mbulon ministria.

“Turizmi, kultura, sporti dhe rinia kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e ekonomive lokale. Sfida jonë është që potencialin e këtyre sektorëve ta kthejmë në zhvillim të qëndrueshëm përmes investimeve dhe reformave”, u shpreh ministri.

Gjatë prezantimit, ai nënvizoi se 2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investime publike, të cilat do të mbështesin restaurimin, konservimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës, përfundimin e investimeve në Galerinë Kombëtare të Arteve, Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave, si dhe vijimin e investimeve për Teatrin Kombëtar.

Një vend të veçantë në projektbuxhet zë programi “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë”, i cili sipas Gonxhes arrin në 2.08 miliardë lekë, ose 80% më shumë krahasuar me vitin 2026.

“Ky është niveli më i lartë i financimit që ka njohur programi i trashëgimisë kulturore dhe muzeve, duke reflektuar prioritetin që qeveria i jep mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kombëtare”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se një ndër projektet më të rëndësishme të vitit 2027 do të jetë nisja e transformimit të plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Sipas tij, projekti parashikon restaurimin dhe rikonstruksionin e godinës, si dhe rikonceptimin e plotë të linjës muzeore, me mbështetjen teknike të Bankës Evropiane të Investimeve.

“Muzeu Historik Kombëtar duhet të kthehet në një institucion modern të historisë dhe identitetit tonë kombëtar, por edhe në një destinacion të rëndësishëm kulturor e turistik”, tha Gonxhja.

Ai bëri të ditur se investimet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë ndërhyrje në monumente dhe site me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Sipas ministrit, gjatë vitit 2027 do të vijojnë punimet në Kalanë e Gjirokastrës, Kalanë e Beratit, Amfiteatrin Romak të Durrësit dhe Kalanë e Krujës, ndërsa do të realizohen restaurime edhe në monumente të kultit si Manastiri i Dervicianit, Kisha e Shën Mërisë në Zvërnec dhe Xhamia e Vokopolës.

Një nga risitë e projektbuxhetit, theksoi Gonxhja, është edhe programi për shpëtimin e banesave private monument kulture. Ai sqaroi se do të krijohet një mekanizëm bashkëfinancimi mes shtetit dhe pronarëve për restaurimin e objekteve historike që rrezikohen nga degradimi.

“Do të nisim në Gjirokastër, Berat dhe Shkodër, qytete që kanë një numër të madh banesash monument kulture. Objektivi ynë është të ndërhyjmë në rreth 30 banesa gjatë vitit 2027”, tha ministri.

Duke folur për rezultatet e arritura në sektorin e trashëgimisë kulturore, Gonxhja tha se numri i vizitorëve në sitet kulturore është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Ai kujtoi se në vitin 2013 këto site vizitoheshin nga rreth 325 mijë persona, ndërsa në vitin 2025 numri i tyre arriti në mbi 1.5 milionë. Sipas tij, vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar mbi 1.32 milionë vizitorë dhe mbi 528 milionë lekë të ardhura.

Ministri u ndal edhe te kapacitetet njerëzore, duke bërë të ditur se projektbuxheti parashikon përmirësimin e trajtimit financiar për 93 restauratorë, si dhe shtimin e 70 pozicioneve të reja në institucionet e artit dhe trashëgimisë kulturore.

“Pa ekspertët nuk mund të mbrojmë trashëgiminë tonë. Për këtë arsye kemi vendosur të investojmë jo vetëm te infrastruktura, por edhe te burimet njerëzore”, deklaroi ai.

Në fund të prezantimit, Gonxhja theksoi se krahas investimeve financiare do të vijojë edhe procesi i reformave ligjore, me nëntë nisma të rëndësishme që përfshijnë ligjin për librin, ligjin për të drejtat e autorit, Fondin Kombëtar për Artin, kinematografinë, trashëgiminë kulturore dhe turizmin.

“Ky nuk është thjesht një buxhet fondesh. Është një vizion zhvillimi që synon institucione më të forta, më shumë investime, më shumë mundësi për të rinjtë dhe një rol më të madh të kulturës e turizmit në ekonominë shqiptare”, përfundoi ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme