Veliaj: Projekti i Këlliçit për nënkalim te Sheshi “Skënderbej”, barsoletë! Totalisht e parealizueshme

Kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës dhe njëherazi kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj e ka konsideruar “barsoletë” projektin e prezantuar nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi për ndërtimin e një nënkalimi në Sheshin “Skënderbej”, për lehtësimin e trafikut.
I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Veliaj u shpreh se realizimi i një projekti të tillë është i pamundur dhe se do të kërkonte prishjen e të gjithë Sheshit “Skënderbej”.
“Është e parealizueshme dhe është sot barsoleta më e madhe në të gjithë rrjetin e urbanistëve. Kur zotëria ishte drejtor në bashkinë e Lul Bashës e shkatërroi sheshin. Por një gjë që ka dalë aq bukur, t’i vihet kazma… është i vetmi shesh që riciklon ujin e shiut me vaska nën tokë. Është e pamundur, a të shkatërrojmë diçka të mirë që kemi bërë apo të gjejmë një mënyrë tjetër?”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se plani i tij, në rast se fiton një mandat të tretë, është ndërtimi i një kundërsensi në Unazën e Vogël.
“Një nga planet tona për mandatin e tretë është që te Unaza e Vogël ne të kemi një kundërsens që shkon përballë xhamisë dhe rikthehet te rruga ‘Xhorxh Bush’. Unë nuk e kam luksin dhe as dëshirën të them gjëra të parealizueshme sepse do kthehem prap në Bashki. Nuk bëhet fjalë të çash një masiv shkëmbor ku mali rri vetë, duhet ta prishësh fizikisht sheshin për të vënë harqet sipër”, theksoi Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




