Veliaj takim me banorët e Njësisë nr. 7: Në 4 vitet në vijim do të ndërtojmë pallatin e ri të sportit “Asllan Rusi”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një takim me banorët e Njësisë nr.7 në kryeqytet, ka deklaruar se në 4 vitet në vijim do të ndërtojnë pallatin e ri të sportit “Asllan Rusi”.
Po ashtu, ndërtimi i stadiumit “Selman Stermasi” ka qenë një tjetër premtim i artikuluar nga Veliaj gjatë takimit.
“Sot jemi bashkia që po rritet më shpejt në rajon. Do të ruajmë nostalgjinë, por në 4 vitet në vijim do të ndërtojmë pallatin e ri të sportit “Asllan Rusi”. Do të ndërtojmë dhe stadiumin “Selman Stermasi””, tha Veliaj.
Ky i fundit u shpreh se PS nuk ka për synim mbjelljen e sherreve me kundërshtarët politikë, por mbjelljen e gjelbërimit. E në këtë kuadër, Veliaj u shpreh se kompleksi ‘Dajti’ do ketë hapësirë publike për komunitetin e njësisë 7.
Kandidati i PS-së për Tiranën, tha se është turp të jesh detergjenti për të larë fytyrën që nuk mund të lahet e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas Veliajt, mos pasja e diplomës së shkollës së mesme për një nga kandidatët është e rëndë, por më e rëndë është të shërbesh si sapun për Berishën dhe Metën.
“Disa prej tyre nxjerrin edhe gishtin e mesit, kur kërkojnë të votohen nga populli. Turp i madh! Por, Etilda ka të drejtë kur tha se duhet diploma e gjimnazit… prandaj duhet diplomë e maturës, e pjekjes sepse një njeri i pjekur në 2023 nuk nxjerr gishtin e mesit për të kërkuar vota dhe për të lidhur kontratë që t’i shërbejë dikujt. E merrni ju dikë në punë që ju nxjerr gishtin e mesit? Turp! Por, nuk është ky problemi më i madh. Problemi më i madh është që ata janë sapun dhe detergjentë për fytyrën që nuk lahet dot të Saliut e të Ilirit. Ky është problem më i madh se gishtat e se diplomat”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




