Veliaj: Transporti urban falas, i pamundur! Po planifikojmë linjë ekspres, do ketë 800 pika stacionesh dixhitale

Transporti urban falas është një nga pikat e programit që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi i ka mëshuar më së shumti, por për kryebashkiakun aktual dhe njëherazi kandidatin socialist, Erion Veliaj është diçka që nuk mund të realizohet kurrsesi.
I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Veliaj u shpreh se transporti urban falas nuk funksionin në asnjë vend, por shtoi se ajo që mund të bëhet është përmirësimi i këtij shërbimi.
Veliaj tha se synimi i tij është ndërtimi i një linje ekspres për Tiranën e Re, Unazën dhe Kombinat-Kinostudio si linjat më me shumë fluks. Po ashtu ai u shpreh se do të ketë 800 pika stacionesh dixhitale në kryeqytet, ku qytetarët mund të shohin në moment se kur do t’i vijë autobusi.
“Nuk del logjika për shërbim falas. Kjo nuk funksionon në asnjë vend. Shërbimi i mirë do të vijë. Anomali mund të ketë, por normalja nuk është siç ka qenë. Linjat janë shtuar. Propozimi është që duke mbajtur po këtë çmim, e kemi bërë falas për studentët dhe jemi në një situatë ku mund të bëjmë planet për një linjë ekspres që janë Tirana e re, Unaza dhe Kinostudio-Kombinat, linjat që kanë më shumë volum dhe kalojmë nga 9 mijë në 20 mijë pasagjerë në orë dhe nga autobusi që vinte çdo 7 minuta në një autobus që vjen çdo 3.5 minuta. Do ketë rreth 800 pika stacionesh dixhitale ku mund ta shohësh edhe kur të vjen autobusi”, tha Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




