Vendimi i GJKKO-së, ish-kryeministri Berisha duhet të paraqitet nesër në SPAK

Politikë | 3 vite më parë

6 nëntori është e hëna e parë e muajit që sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore pranë SPAK-ut.

Ndaj tij, Prokuroria e Posaçme po zhvillon hetim mbi dyshimet për korrupsion në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Pas një seance treditore ku palët – nga njëra anë SPAK-u dhe në anën tjetër avokatët mbrojtës së Berishës – shfrytëzuan hapësirat procedurale që u njeh ligji, gjyqtarja Irena Gjoka caktoi detyrim paraqitje dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për ish-kryeministrin.

Vetë Berisha ka deklaruar se nuk e njeh këtë vendim sipas tij në shkelje të kushtetutës, pasi gjyqtarja e Posaçme anashkaloi parlamentin për t’i marrë leje për vendosjen e masave shtrënguese në rastet e deputetëve.

Në daljet publike ai ka lënë të kuptohet se nuk do t’i bindet vendimit, që sipas procedurës do të sjellë edhe kundërveprimin e prokurorëve të SPAK-ut  me kërkesë për shtrëngim mase sigurie, si ajo e arrestit në shtëpi, ose duke e hetuar atë në mungesë.

Në rast të një mase të arrestit në shtëpi, prokurorëve do u duhet t’i drejtohen Këshillit të Mandateve në Parlament.

Ndërkohë avokatët mbrojtës së Berishës e kanë apeluar vendimin e Irena Gjokës, për të cilën kërkuan edhe të dorëhiqej nga ky proces.

Bashkë me ish-kryeministrin, SPAK po zhvillon hetime me masën shtrënguese të arrestit në burg për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, edhe ky për dyshimet e korrupsionit pasiv në të njëjtën dosje. Nën hetim është edhe biznesmeni Fatmir Bektashi.

Gazetar: Kreshnik Mersinllari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme