Veriu në kulmin e sezonit turistik, bregdeti, Alpet dhe lumi i Shalës mbeten më të frekuentuarat
Qarku i Shkodrës vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend, duke përballuar edhe këtë sezon veror një fluks të lartë vizitorësh nga e gjithë bota.
Prefektja e Qarkut Shkodër Holta Duda thekson se situata paraqitet e ngjashme me atë të vitit të kaluar, ku bregdeti i Velipojës, Alpet Shqiptare dhe lumi i Shalës mbajnë peshën kryesore të turizmit.
““Sezoni turistik, le të themi, ka qenë mjaft në numra të kënaqshëm dhe të krahasueshëm me sezonin turistik të një viti më parë. Nëse i referohemi periudhave përkatëse, zonat bregdetare janë gjithmonë ato të cilat kanë një fluks të shtuar të pritshëm. Jo surprizë, në fakt, është zona e Alpeve, që është një zonë shumë e frekuentuar dhe shumë e parapëlqyer nga turistët. Gjithashtu, edhe një zonë tjetër e cila është në pikun e sezonit të saj është zona e lumit të Shalës.”
Në këtë sezon, një nga risitë kryesore është vendosja e mekanizmave për matjen e nivelit të zhurmave, kryesisht në zonat turistike dhe urbane. Prefektja bën me dije se kjo nismë synon të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët dhe pushuesit
“Është ndërmarrë një nismë e cila ka miratuar, le të themi, një udhëzim të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në mënyrë të tillë që të ndërhyhet tek nivelet kufij të zhurmës në ambientet publike.”
Pritshmëritë për muajin gusht janë edhe më të larta, me një rritje të mëtejshme të fluksit në bregdet, në Alpe dhe në destinacionet natyrore.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





