Vizitë zyrtare në Kanada/ Nikolla : Të ndërtojmë një bashkëpunim të shkëlqyer politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor mes dy vendeve tona

Politikë | 3 vite më parë

Nikolla, e shoqëruar nga Zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj, anëtari i Grupit të Miqësisë me Kanadanë Eduard Ndreca dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kanada Ermal Muça, u pritën në Toronto nga Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott.

Gjatë takimeve të zhvilluara Kryetarja Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim mund të rritet e zgjerohet edhe me Ontarion.

“Janë të gjitha mundësitë që mes Shqipërisë dhe Ontarios të ndërtojmë një bashkëpunim të shkëlqyer politik, parlamentar, ekonomik, arsimor dhe kulturor, duke përfituar edhe nga prezenca e komunitetit shqiptar aktiv e dinamik në Provincë, si një urë bashkëpunimi e miqësie mes Shqipërisë dhe Kanadasë. Përcaktimi me ligj i nëntorit si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare në Ontario është një shenjë e kontributit ekonomik, kulturor e social të diasporës shqiptare dhe premisë e mundësive e të gjera të këtij bashkëpunimi. Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Dhomës së Komuneve të Kanadasë dhe Asamblesë Legjislative të Ontarios do ta nxisë e mbështesë bashkëpunimin ekonomik, arsimor e kulturor.”, theksoi Nikolla.

Nga ana e tij, Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott, pasi shprehu vullnetin për bashkëpunimin me Kuvendin, vuri në dukje disa përvoja të suksesshme të Asamblesë mbi lidhjen me zgjedhësit, rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën parlamentare dhe edukimin demokratik të rinisë, nëpërmjet pjesëmarrjes në proceset parlamentare.

Kryeparlamentari kanadez vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Ontario nga qytetarët dhe institucionet e Provincës, veprimtaritë e larmishme kulturore gjatë muajit nëntor si Muaji i Trashëgimisë Shqiptare dhe për intensifikimin e bashkëpunimit me Kuvendin.

Asambleja do të nxisë investitorët nga Ontario të investojnë në Shqipëri në sektorët e bujqësisë, përpunimit të ushqimeve, industrive nxjerrëse, arsimit etj.

Sikurse bëhët e ditur, në takimin e mbajtur mes Kryeparlamentarëve Nikolla dhe Arnott,u diskutua edhe mbi vlerat e përbashkëta dhe qëndrimet e njëjta të Shqipërisë dhe Kanadasë ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, dialogun mes Kosovës e Serbisë, luftën në Izrael, mbështetjen e Ukrainës etj.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme