Vlorë: Nis rindërtimi i Sheshit të Flamurit e kthimi i tij në një hapësirë të integruar
Ekonomi | 6 vite më parë
Në Vlorë ka nisur rindërtimi i Sheshit të Flamurit e kthimi i tij në një hapësirë të integruar me parqet e me varrezat e Dëshmorëve.
Bashkë me këtë projekt fillon edhe Faza 2 e rehabilitimit të Zonës Historike, ku do të shtrihet infrastruktura e re rrugore e nëntokësore, si edhe zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme hapësira këmbësore.
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë kantier ku sipas tij, “do të pritet kulla e asnjëherë përfunduar në mes të sheshit dhe baza e saj prej tre katesh të larta do të transformohet në një qendër komunitare për të gjitha moshat, me hapësirat e saj argëtuese e kulturore, duke krijuar edhe një tjetër stacion për vizitorët e turistët”.
Kryeministri sugjeroi që të zgjerohet shkallarja dhe të lidhet pjesa historike e pavarësisë me atë të luftës, përmes Sheshit të Flamurit.
“Po të zgjerohet shkallarja në gjithë gjatësinë bëhet tamam shkallare që ulen njerëz dhe nxjerr në pah Varrezat e Dëshmorëve. Këtu është edhe sheshi, edhe faza e dytë e zonës historike. Duhet garantuar sjellja e atij vinçit të lartë, ta sjellim nga jashtë, që ta prishim pjesën e sipërme të godinës dhe pjesën e poshtme do ta mbajmë publike, do të jetë pronë e bashkisë dhe do ta programojmë me hapësira për të gjitha moshat”, tha Kryeministri.
Ai theksoi se këtu mund të krijohet një hapësirë muzeale për artin, një atraksion i madh edhe turistik me salla për rininë, bibliotekë, me internet, me ambiente për të moshuarit, për fëmijët me lodra”. “Bëhet një qendër e madhe qytetare komunitare këtu”, tha ai.
Faktikisht, vijoi Rama, çlirimi nga platformat e asaj kohe bën që të zgjerohet sheshi dhe të ketë një park që lidhet këtu pastaj me atë tapetin që do të jetë me atë gurin e kuq”.
“Kjo pjesa këtu që është keqkuptuar si stacion autobuzash, ajo nuk është stacion autobuzash por një hapësirë pedonale e hijëzuar që është edhe një lloj evokim i tempullit të historisë. Mund të përdoret për panaire, për treg artizanal, treg tematik, gjatë gjithë kohës, edhe për produkte të zonës. Domethënë treg që është permanent, por që ndërrohet herë pas here ose hapet fare për aktivitete e koncerte”, sqaroi Rama.
Kryeministri u shpreh se ka biseduar mbrëmë me arkitektin e mirënjohur belg, Xaveer De Geyter edhe për pjesën e qendrës që besoj mund të jetë me atë gurin e kuq, atë mermerin e bukur shqiptar, për t’i krijuar një “vello” uji të vazhdueshme gjithë kohës me shkëlqim, edhe me tempullin që mund të jetë një kombinim kuqezi i gjithi.
“Gjithë kjo hapësirë publike do të jetë kryevepër. Duhet të bëjmë një program të mirë me zona të shfrytëzueshme për të gjitha moshat. Këtu ka mundësi të bëhet një gjë fantastike me galeri arti e bibliotekë, hapësirë për konferenca. Pra, bëhet një qendër komunitare kulturore, artistike e argëtuese dhe një hapësirë e bukur për fëmijët me lodra”, tha Rama.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se vlera e investimit në total shkon në 8 milionë euro dhe parashikohet edhe rindërtimi i rrugës. “E gjithë hapësira rehabilitohet tërësisht dhe jep të njëjtin imazh me cilësi investimesh të njëjta me ato në pjesën historike. Kemi një projekt për rehabilitimin e godinës së markatës së vjetër”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




