Von der Leyen: Bëni reformat që BE të rrisë investimet

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se Shqipëria duhet të realizojë reformat e kërkuara në mënyrë që Bashkimi Evropian të rrisë investimet në vendin tonë.
Duke folur në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Rama, von der Leyen theksoi se BE ka në plan investime të tjera për Shqipërinë por kjo duhet të shkojë paralel me reformat që duhet të realizojë vendi.
“Sot dua të përqendrohem te plani i ri i rritjes së Bashkimit Evropian sepse po ecim drejt një faze të re veprimesh sepse ky plan ka potenciale në rast se vendoset në zbatim ashtu siç duhet që të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari që të inkurajojë rritjen dhe konvergjencën.
Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun e përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të shoqërohet edhe nga investimet financiare por edhe nga reformat që janë të domosdoshme”, theksoi von der Leyen.
Ajo nënvizoi gjithashtu se duhen krijuar mundësitë që tregu rajonal, përfshirë edhe atë shqiptar të bëhet edhe më i afërt me tregun e vendeve të Bashkimit Evropian.
Von der Leyen vuri në dukje se rezultatet e investimit prej 30 miliard eurosh nga BE kanë filluar të duken në disa fusha, megjithatë sipas saj, edhe më shumë duhet bërë në këtë drejtim.
“Ndërkohë që ne vijojmë për të ecur në këtë rrugëtim drejt anëtarësimit ne po ndërtojmë këtë të ardhme tonën të përbashkët.
Këtë duhet ta fillojmë ta bëjmë menjëherë në mënyrë që vendi juaj të bëhet gati për anëtarësim por që tani të krijojmë mundësi tregtie ndërmjet nesh në mënyrë që ekonomitë tona të bëhen gjithnjë e më të afërta dhe kemi filluar me planin e investimeve 30 miliard euro.
Rezultatet kanë filluar të duken sepse më shumë se gjysma e financimit është mobilizuar pas vetëm 3 viteve. Me anën e këtij plani janë mobiluar 1.4 miliard euro me projekte shumë të rëndësishme si hidrocentrali i Fierzës por edhe lidhja hekurudhore me Malin e Zi me korridorin me anën e korridorit të 10”, theksoi presidentja e KE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




