Vota e emigrantëve, Alibeaj: Të llogaritet si një zonë zgjedhore, Rama do të grabisë votat e tyre

Sekretari i Partisë Demokratike, Enekelejd Alibeaj ka paraqitur planin e PD lidhur me votën e emigrantëve, ku kërkon që vota e tyre të llogaritet si një zonë zgjedhore. Lidhur me kërkesën e PS që kërkon që vota e tyre t’u bashkohet sipas qarqeve, Alibeaj tha se ky është një truk i kryeministrit Edi Rama për të grabitur mandate e vjehdur votat e diasporës.
Në një prononcim para Kuvendit, Aliebaj tha se kërkesa e PD për votën e emigrantëve ka mbetur në sirtarët e Kuvendit, pasi nuk e ka atë në fokus parësor.
“Një nga çështjet më të rëndësishme janë propozimet tona për reformën zgjedhore. Ka kaq kohë që nga çështjet më kryesore si vota e diasporës, mbahen në sirtarët e këtij parlamenti me idenë që me kalimin e ditëve të bëhen më të pamundura zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kemi depozituar një kallëzim penal për të detyruar këtë parlament për të zbatuar votën e diasporës. Është parlament privat që miraton ligje korruptive. E kemi bërë të qartë, e kemi shkruar dhe kemi depozituar në Kuvend që më 15 nëntor të viti të kaluar. Vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë të llogaritet me atë që quhet 1 zonë zgjedhore. Varianti që kërkon Rama është që vota e diasporës të depozitohet sipas qarqeve. Nëse i duhen në Gjirokastër edhe 500 vota për të marrë një mandat më tepër i gjen në Janinë, nëse i duhen në Durrës shkon i gjen deri në ankona ose bari. Ky është kurthi më i madh që po gatuan mazhoranca, prandaj kemi kërkuar që Shqipëria të jetë një zonë që vota e tyre të mos shërbejë si një mjet në dorën e Ramës për të grabitur votat”, tha Alibeaj.
Një ditë më parë grupi i dialogut, mes Rithemelimi dhe PS, dakordësuan që të mundësojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025.
Përfaqësuesi i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi u shpreh pas përfundimit të mbledhjes se takimi ishte i frytshëm dhe “PD është dakord me një votim me postë, por se kjo postë të jetë ndërkombëtare e jo shtetërore”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




