Vrasja e Arben Lleshit në Peqin, arrestohet shefi i Policisë së Burgut të Drenovës

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka arrestuar shefin e Policisë së burgut të Drenovës, Mariglen Kadiu. Dyshohet se arrestimi i tij ka të bëjë me ngjarjen e fundit në burgun e Peqinit, ku u vra Arben Lleshi.
Kujtojmë se Kadiu ka marrë detyrën e Shefit të Policisë në Burgun e Drenovës rreth 8 muaj më parë, ndërsa më herët ka ushtruar të njëjtin funksion në burgun e Peqinit.
Gjykata e Elbasanit për Kadiun ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, por nga rrethanat lehtësuese familjare, është konvertuar në ‘arrest në shtëpi’. Pritet informcion zyrtar nga SHKB lidhur me rastin.
Më 15 dhjetor, Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, qëlloi për vdekje të burgosurin Arben Lleshi dhe plagosi shokun e tij të qelisë Indrit Shaqjën.
Sokol Mjacaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015, me qëllim grabitjen. Më 19 dhjetor, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacajn i cili vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan në ambientet e burgut të Peqinit.
Gjithashtu, gjykata vendosi “arrest me burg” për Kamber Hoxhën, i cili mbante postin e drejtorit të burgut të Peqinit, dhe 10 punonjës të këtij burgu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




