Vrasja në Elbasan dhe e policit në Fier, Felaj: SPAK dhe BKH-ja të hetojnë Strukturën e PD-së për Mbrojtjen e Votës

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, i kërkoi Policisë së Shtetit, SPAK dhe BKH-së, që të hapin hetime, lidhur me të ashtëquajturën Strukturë të PD-së për Mbrojtjen e Votës në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Kërkesa për hetime nga Felaj ka marrë shkas nga vrasja tre ditë më parë në Fier e efektivit 28-vjeçar të policisë, Novruz Cenaliaj, nga Azgan Mërnica, i cili, sipas një fotoje të publikuar në media, ka qenë pjesëtar i kësaj strukture në Fier, në krah të deputetit të PD-së, Luan Baçi.
Sipas Felajt, kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjent kriminal nga opozita. Nënkryetarja e Kuvendit deklaroi se kjo çështje ka mbetur e pa hetuar sepse me të, sipas saj, “është marrë një prokurori jo kompetente”.
“Më kanë zhgënjyer kolegë deputetë të opozitës me reagimet e tyre për rastin e ngjarjes së rëndë në Fier. Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë, që këta njerëz janë përdorur nga politika në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës, për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën”, tha Felaj.
Sipas saj, ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier, provojnë se në zgjedhjet e përgjithshme të 2021-it, janë mobilizuar dhe rekrutuar elementë dhe kontigjent kriminal.
“Ftoj policinë kriminale, dhe s’ka nevojë të bëjë kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave. T’i rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë kontingjent kriminal pas vetes për të mbledhur votën, sepse janë grupe kriminale dhe këtu do doja të kishte vëmendje dhe SPAK, sepse kjo nuk është lëndë për prokurorinë e Elbasanit, por për BKH dhe SPAK, dhe policinë kriminale”, tha Felaj.
Sipas saj, politika duhet të gjejë përgjegjësi tek vetja, sepse mënyra sesi ajo sillet e artikulohet, ndikon tek qytetarët.
“Deputetë këtu në Kuvend kanë bërë deklarata zhgënjyese, madje as nuk kanë ngushëlluar për humbjen e një jete të re të një punonjësi me uniformë, as nuk janë distancuar nga personi në fjalë, as nuk i kërkuan që të dorëzohet, e për më tepër i kanë bërë këto deklarata teksa mbahej protesta para Bashkisë Tiranë”, tha Felaj.
Baçi: E njoh Azgan Mernicën, kur është bërë foto ishte qytetar i ndershëm
Deputeti i PD, Luan Baçi reagoi dy ditë më parë lidhur me një foto ku ai shfaqet së bashku me 23- vjeçarin e identifikuar si, Azgan Mernica, që qëlloi për vdekje me plumb në kokë efektivin e policisë, Novruz Cenaliaj.
Në protestën para Bashkisë së Tiranës, Baçi ka pranuar se e njeh Azgan Mernicën dhe për kohën kur ai është angazhuar pranë tij, ka qenë qytetar i ndershëm.
“Unë këtu jam edhe për t’iu drejtuar punonjësve të policisë, së pari për t’i dhënë përgjigje shumë gazetarëve dhe mediave, që po më bëjnë sms për t’i dhënë një përgjigje në lidhje me ngjarjen e rëndë në Fier. Unë shpreh ngushëllime të sinqerta për policin e vrarë. Por po ashtu konfirmoj se si deputet i Fierit kam shumë njohje, foto dhe takime dhe me qytetarë demokrat dhe jo vetëm. Një ndër ata është edhe vrasësi i atij polici. E njoh Azgan Mernicën. Në 2021 kur ka bërë atë foto me mua nuk ka qenë një kriminel, por një qytetar i ndershëm. E dënoj veprimin e tij, shpreh keqardhje”, u shpreh Baçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




