Xhaçka: Një Ballkan Perëndimor më i sigurt, ndikim në sigurinë e Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), në format të Ministrave të Punëve të Jashtme, takim ky i cili u zhvillua në Riga, Letoni, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në një reagim ministrja Xhaçka theksoi se, në takimin e NATO-s u zhvilluan diskutime konstruktive në një kohë të shqetësimeve në rritje për sigurinë dhe stabilitetin në kufijtë e NATO-s.
Ajo shtoi se në takim u ndanë shqetësimet e përbashkëta për situatën në Ukrainë.
“Diskutime konstruktive me NATO-n në takimin e ministrave të Jashtëm në Riga, “Koncepti Strategjik 2022”, në një kohë shqetësimesh në rritje për sigurinë dhe stabilitetin në kufijtë e NATO-s. Ne ndamë shqetësimin e përbashkët për situatën në Ukrainë dhe thirrjen e përbashkët për dialog, si rruga për të ecur përpara”, shprehet Xhaçka.
Xhaçka u shpreh optimiste se “Koncepti Strategjik 2022” do të njohë qartë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
“Jam optimiste se Koncepti Strategjik 2022 do të njohë qartë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor. Një Ballkan Perëndimor më i sigurt dhe më i qëndrueshëm ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e Evropës. Të bindur se një NATO solidare, e bashkuar nga vlerat e saj, mund të përballojë çdo sfidë”, theksoi Xhaçka.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



