Zgjedhjet, Kuvendi i përgjigjet KQZ: PSD nuk merr numërues nga opozita

Politikë | 2 vite më parë

Kuvendi i ka kthyer përgjigje kërkesës për informacion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se sa herë i kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste (PS) deputetët e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).

Sipas shkresës që disponon RTSH-ja, rezulton se këto dy parti i kanë bashkuar votat 8 herë me socialistët për të miratuar programin politik të qeverisë në 16 shtator 2021, si edhe për votimin e miratimin e buxheteve nga viti 2021 deri në 2025.

PDIU-ja, që e shkëputi koalicionin me PD-në, ka votuar vetëm disa herë pro mazhorancës, ndërsa PSD-ja ka votuar gjithmonë pro.

Në këtë mënyrë pritet që PS-ja të ndajë komisionerët me PSD-në.

Sipas rregullave zgjedhore, komisionerët do të ndahen mes partive parlamentare, si në komisionet e votimit, edhe në grupet e numërimit.

Kujtojmë se pas shkresës që Kuvendi i dërgoi KQZ-së, ku Spiropali deklaronte se shumicë parlamentare ishte vetëm Partia Socialiste dhe gjithë të tjerët ishin në opozitë, reagoi Partia Demokratike, që tha se PSD-ja dhe PDIU-ja i kanë bashkuar votat me PS-në.

Në këtë mënyrë, KQZ-ja kërkoi nga Kuvendi që të dërgojë letrën me të gjitha rastet kur këto dy parti i kanë bashkuar votat me socialistët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme